DURRES, 9 qershor 2013 – Këtë sezon pushuesit  e shumtë që zgjedhin bregdetin e Durrësit për të kaluar pushimet verore nuk do të përballen me nivel të lartë të ndotjes. Statistikat e bëra publike pas  një monitorimi të kryer nga ana e drejtorisë së higjenës në këtë fillim sezoni, tregojnë se 89% e stacioneve të plazheve të  Durrësit janë brenda normave të higjenës, ndërsa vetëm 11% e tyre janë mbi normat e rekomanduara. 

Drejtoresha e Shëndetit Publik në Durrës Lida Boshku, pohon se niveli i ndotjes në prag të stinës verore, është më i ulët se një vit më parë, kjo falë disa investimeve që janë kryer në rrjetin e kanalizimeve por edhe për shkak se fluksi i pushuesve në plazhet e Durrësit nuk është i lartë. 

"Plazhi i Currilave, zona e Kovalishencës, si dhe plazhi tek Shkëmbi i Kavajës, një vit më parë ishin klasifikuar si zona të nxehta përsa i përket nivelit të ndotjes, për shkak të ujërave të zeza që derdheshin në det të papërpunuara. Monitorimi i ujit e rërës këtë vit, tregon se këto plazhe janë më të pastra së një vit më parë dhe se mund të frekuentohen nga të gjithë", tha Boshku. 

Ndërkaq, nga ana e drejtorisë së  Shëndetit Publik në Durrës si dhe Inspektoriatit të Higjenës, është bërë klasifikimi i zonave më të ndotura përgjatë plazhit. Sipas tyre, plazhet të cilat nuk duhet të frekuentohen nga pushuesit për shkak të ndotjes, janë zona e Porto-Romanos, Hamallaj në afërsi të hidrovorit,grykëderdhja e lumit Erzen e Ishëm. 

Pikërisht në këto zona nga monitorimi i kryer nga Drejtoria e Higjenës, është konstatuar nivel i lartë ndotjeje bakteriologjike, duke këshilluar evitimin e këtyre plazheve, pasi mund të kërcënohet shëndeti i frekuentuesve.

/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/