Durrës, 20 gusht 2014 – Një 25 vjeçar nga Kavaja ka nisur të procedohet penalisht nga policia e Durrësit pasi tentoi të mashtronte shërbimet e policisë.

Mësohet se 25 vjeçari M.Ç. është ndaluar nga shërbimet e patrullës së përgjithshme të Policisë duke drejtuar mjetin BMW me targa AA924CD me xhama te errët.

Në momentin e kontrollit, 25 vjeçari u është prezantuar punonjësve të Policisë si punonjës i Antiterrorit, madje ai u ka paraqitur një dokument që mbante me vete.

Në të njëjtën kohë ai u ka treguar ‘kolegëve’ edhe fenelinën e policisë që kishte në mjet.

Por këto nuk i kanë bindur aspak uniformat blu që kanë nisur verifikimin e të dhënave.

Nga verifikimet nuk rezultoi se ky shtetas të ishte efektiv policie.

Ai u shoqërua në komisariatin e policisë ku dhe iu bë e ditur akuza “Fallsifikim i dokumentave”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/