DURRËS, 24 dhjetor 2013 – Edhe këtë prag fundviti policia e qarkut Durrës, nëpërmjet një plani të veçantë masash është angazhuar maksimalisht në garantimin e rendit, sigurisë publike, qarkullimin e lirë të mjeteve e këmbësorëve, zhvillimin normal të festimeve në të gjithë qarkun. Bazuar në përvojën e viteve të mëparshme, detyra janë parashikuar edhe në drejtim të parandalimit të ngjarjeve aksidentale, shkaktuar nga fishekzjarrët apo armët  e zjarrit. Mbi të gjitha ky plan masash parashikon detyra të cilat bashkërendohen midis gjithë strukturave të policisë që operojnë në qark, institucioneve të tjera të sigurisë si dogana, policia bashkiake, tatimore, shoqëritë e ruajtjes dhe sigurisë fizike (policitë private), duke realizuar e plotësuar kështu më mirë spektrin e shërbimeve që do të vendosen në funksion të garantimit të festimeve të qeta. Drejtimi, menaxhimi dhe kontrolli i masave të marra për sigurimin e aktiviteteve që do të zhvillohen përgjatë ditëve të festës do të kryhet nga një grup i posaçëm pune.

Për sa i përket kontrollit të territorit, është parashikuar që gjithë efektivi të kalojë në shërbim të përforcuar me qëllim mbulimin dhe monitorimin sa më të mirë të tij, në funksion të marrjes dijeni në kohë të shpejtë mbi problematikën, zgjidhjes së situatave, ofrimit të ndihmës në kohë në rast nevoje dhe reagimit sa më të shpejtë në përgjithësi. Kështu, tregjet, stacionet e mjeteve të transportit publik, sheshet dhe vendet e tjera ku do të festohet,  qendrat tregtare, vendet ku përpunohen vlera monetare si tregjet e këmbimit valutor, banka, arka, lokalet  e lojërave të fatit, supermarkete, agjenci udhëtimi, janë disa nga pikat ku vëmendja e shërbimeve policore do te jetë më e përqendruar. Janë parashikuar tendencat më të mprehta për t’u zhvilluar dhe puna për mbajtjen nën kontroll të tyre do të jetë rezultat i bashkëpunimit midis strukturave te ndryshme të policisë. Në këtë kuadër detyra të përbashkëta janë planifikuar edhe me aktorë të tjerë të sigurisë si shoqëritë private të sigurisë fizike, policinë bashkiake, etj. Masa që lidhen me bashkëpunimin me strukturat tatimore e doganore për bllokimin e mjeteve piroteknike të rrezikshme si dhe kontrollin e përbashkët për respektimin e rregullave të magazinimit e shitjes së tyre. Masa që lidhen  me ruajtjen e një trafiku fluid. Planëzimi i shërbimeve të policisë rrugore do të jetë strategjik: në pikat dalëse e hyrëse në PKK (pikë kalimi kufitar) për menaxhimin e fluksit të shtetasve të huaj e vendas që tranzitojnë nëpërmjet kësajPKK-je, segmentet rrugore në afërsi të  tyre, kryqëzime, boshtet kryesore ndërqytetëse si ato që çojnë drejt kryeqytetit, veriut apo jugut të vendit. Shërbim i policisë rrugore është parashikuar në afërsi të institucioneve fetare dhe tregjeve.

Një tjetër detyrë e Policisë lidhet me shërbimin e afërt policor të planifikuar pranë shesheve ku do të festohet apo vendeve me densitet më të lartë publiku. Për këtë arsye, në bashkëpunim me bashkitë e institucionet e tjera vendore është siguruar kalendari i festimeve dhe aktiviteteve të planifikuara dhe në funksion të tij janë parashikuar edhe masa në drejtim të sigurisë publike, parandalimit të veprimtarisë së mundshme kriminale favorizuar nga turma, garantimit të rendit. Kontrolle do të aplikohen nga shërbimet veçanërisht natën e ndërrimit të viteve, në funksion të verifikimit të drejtimit të mjetit nën efektin e lëndëve alkoolike apo psikotrope. Në vëmendje të policisë do të jetë reagimi i shpejtë në raste situatash konfliktuale, si rrjedhojë e konsumit të pijeve alkoolike, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të tyre. Në gatishmëri të plotë do të jetë shërbimi i sallës operative. Në dispozicion të problematikës së lindur do të jenë 6 linjat telefonike pa pagesë 126 & 129, AMC, Eagle dhe Vodafon si dhe numri telefonik fiks 052222266. Mbajtja nën kontroll e personave me prirje të ndryshme kriminale, si ato kundër jetës,  pronës apo edhe me precedentë të mëparshëm në drejtim të cenimeve të rënda të rendit. Masa mbi personat e kërkuar të cilët mund të shfrytëzojnë  flukset lëvizëse. Mbajtja nën kontroll e konflikteve aktuale, por edhe të vjetra në të cilat përfshihen persona që  kthehen të festojnë në Shqipëri.

Gatishmëria e strukturave kundër krimit të organizuar në drejtim të parandalimit e goditjes së veprave penale, të predispozuara për t’u favorizuar gjatë kësaj periudhe. Në bashkëpunim me strukturat e Policisë Kufitare do të punohet në drejtim të kontrollit e sanksionimit të shtetasve që ndërmarrin veprime kriminale të natyrës ndërkufitare si krime me karakter financiar e ekonomik, të trafikut të narkotikëve, të kontrabandës, falsifikimeve, kalimit dhe ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, etj. Krahas masave që policia e Durrësit ka parashikuar në funksion të mbarëvajtjes së festave të fundvitit, kërkon nga qytetarët bashkëpunimin e përdoruesve të rrugës në drejtim të zbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor; mirëkuptimin, ndihmën dhe bashkëpunimin qytetar në rastet e kufizimit të ambienteve publike  e rrugëve, për shkak të zhvillimit të aktiviteteve masive kulturore e fetare; mirëkuptimin e qytetarëve për evitim përgjatë ditëve para festave të lëvizjes me automjete, duke synuar mjete alternative në afërsi të tregjeve, ku edhe rrezikohet fluks më i dendur trafiku; bashkëpunim për mbikëqyrjen e fëmijëve gjatë përdorimit të fishekzjarrëve; mirëkuptim për mos bllokuar pa arsye linjat e gatshme telefonike të policisë; orientim drejt shërbimeve të afërta policore të terrenit (patrulla e përgjithshme apo punonjës policie të planëzuar në terren) apo drejt numrave të gatshëm telefonike të policisë në rast problemi; mirëkuptimin për moszbatim të vetëgjyqësisë në zgjidhjen e konflikteve apo problemeve. Përfitojmë nga ky moment për të uruar në emër të institucionit policor Durrës festat e fundvitit për komunitetin e Qarkut dhe shprehur angazhimin maksimal të gjithë strukturave në funksion të mbarëvajtjes së festimeve tuaja. Gëzuar!

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/