Durrës, 4 prill 2014 – Ditën e dielë, në orën 09.30, në qytetin e Durrësit zhvillohet aktiviteti “Gjysmëmaratona Ballkanike” dhe “Dita e Parë Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe”. Në funksion të krijimit të hapësirës së nevojshme për vrapuesit, Policia Rrugore i bën me dije drejtuesve të automjeteve se që prej orës 08.30 të së dielës, një pjesë e konsiderueshme e rrugëve kryesore të qytetit bregdetar do të bllokohen për lëvizjen e mjeteve.
Segmentet rrugore që do të bllokohen për lëvizjen e mjeteve:
– Pallati i Kulturës – Bashkia Durrës – Hyrja Nr.1 e Portit
– Rrethimi i Portit – Hyrja Nr.4 e Portit
– Ura e Dajlanit – Rrethrrotullimi Plepa – Karburanti IT Oil Golem.
Policia e Durrësit njëkohësisht njofton se segmenti rrugor Pallati i Kulturës deri tek Ura e Dajlanit do të bllokohet në të dy senset e lëvizjes, ndërkohë që përgjatë rrugës “Pavarësia” Plazh vetëm sensi i lëvizjes Durrës- Plepa. Maratona do të vijojë më pas nga Plepat në drejtim të Golemit dhe e bllokuar do të jetë rruga interurbane dytësore në të dy senset e lëvizjes.
Ndërkohë përgjatë segmentit rrugor Pallati i Kulturës-Hyrja Nr.1 e Portit rruga do të boshatiset edhe nga mjetet e parkuara. Policia njofton qytetarët që për të garantuar mbarëvajtjen e këtij aktiviteti duhet të zhvendosen të gjitha mjetet e parkuara në segmentin Pallati i Kulturës – Hyrja Nr.1 e Portit nga vetë pronarët e mjeteve, pasi në të kundërt kjo zhvendosje do të kryhet nga Policia Rrugore
Info
Maratona Ballkanike
Ditën e dielë në datën 6 prill do të zhvillohet për herë të parë në Durrës “Maratona Ballkanike” nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe organizuar nga Federata Shqiptare e Atletikës, Ministria e Arsimit dhe Sporteve dhe Bashkia Durrës. Kjo maratonë ballkanike zhvillohet pikërisht në Ditën Botërore të Sportit për Paqe e Zhvillim.
Maratona Ballkanike është i pari event në këtë lloj organizimi, qysh nga kampionati i lojrave Ballkanike të vitit 1946 i mbajtur në Tiranë dhe e para herë që një maratonë e tillë zhvillohet në Durrës. Në maratonë do të marrin pjesë 48 sportistë profesionistë të vendeve si: Shqipëri, Kosovë, Itali, Bullgari, San Marino, Maqedoni, Rumani, Turqi, Serbi, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina, Armeni etj. Ky aktivitet sjell në Durrës atletë cilësorë nga Ballkani dhe më gjerë duke demonstruar nje garë solidariteti e paqeje dhe duke e kthyer këtë aktivitet kulturor-sportiv në një ngjarje që do të shpalosë vlerat qytetare dhe mikpritëse të qytetit bregdetar dhe historik të Durrësit.
Kjo maratonë do të shoqërohet edhe nga 2500 nxënës të shkollave të qytetit që do të vrapojnë dhe festojnë me rastin e të dy eventeve pasi Maratona Ballkanike përkon edhe me vrapimin e paqes me rastin e Ditës Botërore të Sportit për Paqe e Zhvillim që do të mbahet në të gjithë botën në të njëjtën ditë, me slloganin Athletics Better Ëorld.
Programi i Aktivitetit
Ora 9.00-9.30 – Grumbullimi i pjesëmarrësve dhe pozicionimi në vendet e caktuara pranë pallatit të kulturës A.Moisiu
Ora 9.30 – Ceremonia e hapjes
Ora 10.00 – Starti i maratonës, nisja e vrapuesve profesionistë për garën 21 km
Ora 10.30 – Nisja e vrapuesve të shkollës së Mjeshtërisë Sportive për garën 5 km
Ora 10.15 – Nisja e vrapimit masiv demonstrativ të nxënësve të shkollave
Ora 10.15-11.00 – Koncert Festiv i QKF përpara pallatit të kulturës
Ora 11.00 – Ceremonia e promocionit dhe dhënies së medaljeve për fituesit e garave
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





