Mjetet që përdoren për sportet në det si mororët e ujit, terrorizojnë fizikisht dhe psikologjikisht pushuesit.
Ndaj edhe shefja e policisë së portit të Durrësit, ka propozuar heqjen e të gjithë këtyre mjeteve nga bregdeti i qytetit dhe vendosjen e tyre larg prej pushuesve.
Kjo kërkesë i është bërë pushetit lokal, bashkisë dhe prefekturës nga Lindita Nushi, në mbledhjen e komitetit të turizmit, me pretendimin se siguria e pushuesve cenohet nga këto mjete.
"I kërkoj pushtetit lokal heqjen e të gjithë mjeteve motorike që përdoren për sporte ujore. Biznese janë shumë pak ndërsa pushues janë miliona në breg. Këto mjete, përbëjnë cënim të sigurisë së pushuesve si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht."
Kërkesa ka ardhur pas pezullimit që iu bë motorëve të detit e çdo mjeti argëtues ujor në pikun e sezonit vitin e shkuar, duke ngritur në protestë pronarët e tyre.
Bllokimi i mjeteve të sporteve ujore që përdoren për argëtim erdhi pas aksidentimit të një pushuesi verën e kaluar në plazhin e Ksamilit i cili gjeti vdekjen pasi u godit në kokë nga një skaf.





