Pa kaluar 48 orë nga operacioni i policisë “Vjeshtë 2017” në Durrës, ku u prangosën Mariel Fierza dhe Genti Nderjaku, Report TV ka mundur të sigurojë një dokument që duket se zbeh këtë aksion. Njëri prej personave të dyshuar si shok i anëtarit të bandës së Lul Berishës, e ka pasur armën me leje vetëm 6 muaj para se të arrestohej. Report TV ka siguruar faksimilen ku policia i ka dhënë leje për të mbajtur armë Genti Nderjakut.

Ky i fundit e ka marrë lejen në datën 28 prill 2017. Leja për pajisjen me armë të një personi i cili cilësohet i rrezikshëm nga policia, është firmosur nga Drejtori i Policisë Haki Çako dhe është propozuar nga vetë Policia e Durrësit. Pikërisht kjo leje, tregon se si një person i dyshuar pjesë e një bande, pajiset me armë nga vetë strukturat e shtetit.

Genti Nderjaku është pajisur me një pistoletë dhe 50 fishekë, por që ishte i detyruar t'i mbante në banesë ose te bizneset e tij. Por i dyshuari si afërm i bandës së Lul Berishës e mbante me vete këtë pistoletë. Pavarësisht se Policia zhvilloi një operacion për arrestimin e Mariel Fierzës dhe Genti Nderjakut, ky i fundit pritet të lihet i lirë nga Gjykata e Durrësit për shkak se armën e ka me leje.

Tri ditë më parë Policia e Durrësit gjeti dy armë në makinën tip “Porsche”, por pikërisht njëra nga këto pistoleta është me leje. Mariel Fierza dhe Genti Nderjaku pritet të dalin para Gjykatës së Durrësit ditën e premte për t'u njohur me masën e sigurisë.

Marrë nga "Shqiptarja.com"

fakismile autorizim