DURRES, 3 prill 2013– Policia e Durrësit ka startuar ditën e sotme një aksion  për bllokimin e mjeteve që rezultojnë me mangësi në dokumentacion.

Në fokusin e rrugorëve janë vënë dhe automjetet, të cilat janë ndëshkuar kohë më parë me gjoba, për shkelje të kodit rrugor.

Me dhjetra punonjës dhe oficerë të policisë rrugore dhe rendit kanë ngritur post-blloqe në të gjithë akset rrugore, sheshet si dhe në  kryqëzimet problematike, me qëllim kapjen dhe ndëshkimin e të gjithë shkelësve të ligjit. 

Objekt i veprimeve të policisë rrugore krahas vjeljes së gobave dhe ndëshkimit të shkelësve është edhe verifikimi i dokumentacioneve të automjeteve, si dhe bllokimi i automjeteve me xhama të zinj.

Paraditen e sotme janë penalizuar mbi 60 drejtues automjetesh, të cilët kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

Operacioni i përbashkët i policisë rrugore dhe atij të rendit, mësohet se do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.