DURRËS, 22 qershor 2013 – Policia e Krujës ka identifikuar e shpallur në kërkim një person të dyshuar si të përfshirë në blerjen e votave, vepër penale kjo për të cilën Kodi Penal ka ashpërsuar ndëshkimin penal deri në 2 vjet burgim.

Në njoftimin për shtyp zëdhënësja e policisë së Durrësit nuk ka specifikuar faktin se cilës parti i përket autori i kësaj vepre penale pra në favor të cilit subjekt elektorak duhej të votonin personat që 28-vjeçari po u shpërndante paratë.

Sipas saj në kuadër të planit të masave që Komisariati i Policisë Krujë po zbaton në drejtim të garantimit të një procesi të qetë dhe të paanshëm zgjedhor, mesnatën e djeshme u krye një goditje në drejtim të aktivitetit të paligjshëm të ofrimit të të hollave me qëllim përfitimin e votës.

Konkretisht, nga ana e policisë u krye shpallja në kërkim policor e shtetasit Islam Sefa (Xaka), 28-vjeç, lindur në Nuaj Krujë dhe banues në qytetin e Krujës, shtetas i dënuar më parë për prodhim, shitje të lëndëve narkotike.

Nga informacionet që strukturat policore të Krujës kishin grumbulluar mbi zhvillimin e  aktivitetit të ofrimit e shpërndarjes nga ky shtetas të shumave të parave banorëve të fshatit Nuaj me qëllim që të votonin në favor të një subjekti elektoral, më date 22.06.2013, rreth ores 01:30, gjatë kohës kur personi në fjalë lëvizte me automjetin e markës “Jeep Grand Cherokee” me targa AA 140 FC në funksion të këtij aktiviteti, i është dhënë shenjë për ndalim nga punonjësit e Policië; urdhër të cilit personi në fjalë nuk i është bindur dhe ka tentuar te largohet me mjetin e tij.

Në pamundësi për t’u larguar, ky shtetas ka braktisur mjetin dhe ka mundur t’i shmanget kapjes nga shërbimet e Policisë, i favorizuar nga terreni me reliev të larte, me bimesi dhe kushtet e erresires. Ndërkohë vijojnë masat për kapjen e tij.

Gjatë kryerjes së veprimeve të para hetimore, në automjetin me të cilin ky shtetas udhëtonte  u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një çantë supi brenda së cilës:

-76 copë kartmonedha të prerjes 2000 lekë,
-70 copë kartmonedha të prerjes 1000 lekë,
-53 kartmonedha të prerjes 50 Euro,
-2 telefona celularë
-si dhe një bllok shënimesh me të dhëna mbi aktivitetin në fjalë.

 Nga ana e policisë janë kryer të gjitha veprimet e para hetimore, të cilat do t’i kalojnë për ndjekje penale Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë.

 Mbi 28-vjeçarin rëndon akuza për kryerjen e veprave penale “Dhënie e shpërblimeve apo premtimeve” dhe “Mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të Policisë rendit publik”, parashikuar nga nenet 328 dhe 242 të Kodit Penal.

Policia e qytetit të Durrësit rikujton edhe njëherë komunitetin se ofrimi, ose dhënia e të hollave, bërja e premtimeve për vende pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë por edhe pranimi i të hollave, premtimeve apo favorizimeve të tjera me qëllim marrjen e firmës për paraqitjen e kandidatit, për të votuar pro ose kundër një kandidati apo për të marrë apo jo pjesë në votime përbën vepër penale, sanksioni i së cilës varion nga gjobë-burgim deri 2 vjet.