Durrës, 13 qershor 2014 – Dy vëllezërit Dritan dhe Besnik Pula, u arrestuan sot nga policia e Durrësit, me akuzën e grabitjes së firmës “Shijaku shpk” një ditë më parë në Fushë-Krujë.

Besnik Pula, 40 vjeç, banues në fshatin Gramëz Fushe Krujë, është një nga 4 autorët e grabitjes së realizuar gjatë ditës së enjte.
Kapja e shtetasit në fjalë u bë e mundur në segmentin rrugor Vorë-Durrës, gjatë kohës kur po udhëtonte me qëllim shmangien e ndjekjes së Policisë.

Policia e Durrësit ka arritur të identifikojë përgjatë hetimeve të zhvilluara 4 autorët e dyshuar të grabitjes së ndodhur dje, dhe në sajë të masave të marra arriti të kapë njërin prej tyre, shtetasin Besnik Pula. Operacioni vazhdon ende për arrestimin e 3 grabitësve të tjerë.

Shtetasi Besnik Pula është vëllai i shtetasit Dritan Pula, i cili u shoqërua si i dyshuar per grabitjen e djeshme, por që Policia arriti të zbardhë e dokumentojë se ishte autor i dyshuar i nje tjetër grabitje, ndodhur me datë 16.05.2014  në Mamurras, në një pikë skrapi. Kështu, brenda një dite, policia e Durrësit çoi pas hekurave dy vëllezërit Pula.

Grabitja në zyrat e firmës “Shijaku” në Fushë-Krujë ndodhi mesditën e djeshme, kur 4 persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armëve grabitën shumën prej 100 mijë lekësh. Mësohet se fillimisht grabitësit bënë të mundur neutralizimin e rojës së firmës duke i marrë armën.

Pasi morën armën, grabitësit hynë brenda në firmë dhe nën kërcënim e sipër detyruan punonjësit që të dorëzonin xhiron ditore, që shkonte rreth 100 mijë lekë.

Pasi morën lekët ata u arratisën nga qyteti me një makinë tip BMV. Disa orë pas ngjarjes policia gjeti të djegur automjetin e autorëve në vendin e quajtur “Ura e Gjolës”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah/