DURRES, 18 mars 2013 – Prangoset një shtetas i shpallur në kërkim me akuzën “Vrasje me paramendim kryer  në bashkëpunim" dhe "Armëmbajtje pa leje". Policia e Durrësit bën të ditur se me datë 16 mars është ndaluar shtetasi Arjan Prroj, 34 vjeç, nga Shkodra, i akuzuar për vrasje të dyfishtë.

34 vjeçarit i është dhënë masa e sigurisë “arrest me burg” në mungesë nga gjykata e Apelit e Shkodrës në datë 27.12.2012.

Arjan Prroj dyshohet se ka vrarë për motive hasmërie së bashku me dy vëllezërit Prroj (djemtë e vëllait të Arjanit) shtetasit Marije Qukaj, 17 vjeç dhe Kole Qukaj, 70 vjeç. Ngjarja e rëndë u regjistrua me datë 14.06.2012, rreth orës 15.40 në fshatin Kir në Shkodër

Ngjarja   

Marie Qukaj mbeti e vrarë në vend me armë zjarri, ndërsa ishte duke vaditur parcelat me misër pranë banesës së saj. Ndërkohë plumbat kapën edhe gjyshin e saj 70 vjeç Kole Qukaj, që humbi jetën më pas në spital. Policia shpalli në kërkim tre autorë të dyshuar të kësaj ngjarje. Ata janë dy vëllezërit Prroj, 27 dhe 32 vjeç dhe xhaxhai i tyre 43 vjeç. 

Sipas policisë, ata morën hak duke vrarë vajzën dhe gjyshin e saj për shkak se dy vjet më parë vëllai dhe nipi i viktimave, shtetasi Gjokë Qukaj kishte vrarë me armë zjarri pas një sherri për vijën e ujit, shtetasin Ndoc Prroi, i cili është babai dhe vëllai i autorëve të ngjarjes së djeshme. 

Pas krimit të korrikut 2010 të dyja familjet ishin futur në gjak. Edhe pse autori i krimit ishte dënuar nga drejtësia, hakmarrja nuk ka vonuar. Afro dy vjet më vonë familja tjetër realizon krimin makabër, duke vrarë gjyshin e autorit të krimit, si dhe motrën e tij vetëm 17 vjeçe. 

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/