DURRES, 27 shkurt 2013 – Postoblloqe të shumta të policisë rrugore janë ngritur në rrugët hyrëse dhe dalëse të qytetit Durrësit që nga fillimi i kësaj jave. Gjithashtu postoblloqe të policisë rrugore janë ngritur edhe brenda në qytet si tek kryqëzimi tek Torra Veneciane dhe Muzeu i Dëshmorëve apo tek sheshi Liria.
Në të njëjtën kohë shërbime të përforcuara të policisë rrugore janë ngritur edhe përgjatë autostradës Durrës-Tiranë, rruga Ura e Dajlanit-Plepa si dhe në akse të tjera rrugore që mbulon Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës.
Efektivët e policisë rrugore kanë ushtruar kontrolle të imtësishme në automjetet që qarkullojnë në nëpër akset kryesore rrugore. Objekt i kontrollit kanë qenë kryesisht mangësitë në dokumentacionin e automjeteve, përdorimi i rripit të sigurimit, përdorimi i kaskës mbrojtëse tek mjetet motorike etj.
Nga kontrollet e ushtruara nga Policia Rrugore e Qarkut Durrës gjatë këtyre ditëve të fundit janë gjobitur 90 drejtues automjetesh, ndërkohë që mësohet se 8 makina janë sekuestruar nga efektivët e rrugores.
Kryesisht shkeljet më të shpeshta të Kodit Rrugor për të cilat janë gjobitur drejtuesit e mjeteve kanë qenë mangësitë në dokumentacionin e mjeteve dhe mos vënia e rripit të sigurimit.
Nisur nga ngjarjet e ditëve të fundit të cilat kanë tronditur opinionin publik për shkak të morisë së krimeve që janë regjistruar në qytete të ndryshme të vendit, Policia e Shtetit duket se ka hartuar një plan masash për të parandaluar elementët kriminalë të kryejnë vepra të tjera penale.
/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





