DURRES – Pas arrestimit të të riut durrsak, Edjon Abazi, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës me një numër të konsiderueshëm veprash arti policia e Durrësit ka ushtruar sot kontroll në banesën e këtij shtetasi në lagjen nr.17 të qytetit, pranë ndërmarrjes së Ujësjellësit dhe ka sekuestruar disa qypa, blloqe gurësh e kolona mermeri antike.
Burime zyrtare të policisë së Durrësit bëjnë të ditur se gjatë operacionit janë sekuestruar 16 qypa mesjetarë të madhësive të ndryshme, 11 kolona mermeri antike dhe një prej graniti. Ndër të tjera janë gjetur edhe 25 copë blloqe gurësh antikë dhe një kornizë mermeri.
Policia saktëson gjithashtu se mes objekteve të sekuestruara ka edhe 29 copë amfora e fragmente objektesh të antikitetit. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur për Durrëslajm.com se babai i 24 vjeçarit të ndaluar, Petrit Abazi ka liçencë për tregtimin e objekteve të vjetra dhe një pjesë të objekteve antike të gjetura në oborrin e shtëpisë së tij ai i ka blerë nga familjet durrsake, ndërsa të tjerat i janë falur ose i ka gjetur gjatë gërmimeve në dherat që hidhen nga firmat e ndërtimit. Nga ana tjetër xhaxhai i 24 vjeçarit të ndaluar ka në kryeqytet një dyqan për tregtimin e objekteve të lashta dhe veprat e artit që iu kapën në Kakavijë Edjon Abazit mund t’i përkasin atij.
Ndërkohë drejtoria rajonale e Kulturës Kombëtare bën të ditur se asnjë nga objektet e gjetura në shtëpinë e Abazit nuk rezulton të jetë vjedhur nga inventari i Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Mbetet për t’u parë tani nëse objektet antike janë të kartelizuara apo jo, sepse nëse pronari i tyre nuk i ka të çertifikuara ato rrezikojnë të sekuestrohen dhe t’i shtohen fondit të muzeut.
Ditën e enjte në pikën kufitare të Kakavijës u sekuestruan një numër i madh veprash arti, që sipas policisë mund të jenë të vjedhura. 24 vjeçari, Edjon Abazi, nga Durrësi ishte personi në çantën e të cilit policia gjeti veprat e artit. Në çantën e tij policia gjeti dhe sekuestroi vepra të kulteve fetare si kryq, piktura, pjesë të ikonostasit, të epitafit etj si dhe disa sahatë dore.





