Policia e Durrësit ka shpallur në kërkim një 53-vjeçar, i cili akuzohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Po ashtu, është shpallur në kërkim edhe një 30-vjeçar nga Fushë-Kruja, që dyshohet se ka marrë me qira një automjet në Durrës dhe nuk e ka kthyer më te pronari.
Ndërkohë, në një rast tjetër, një i mitur në Kavajë po hetohet në gjendje të lirë pasi dyshohet se ka vjedhur në një banesë.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës shpallën në kërkim shtetasit:
F. A., 53 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
B. B., 30 vjeç, banues në Fushë-Krujë, sepse nëpërmjet mashtrimit i ka marrë me qira automjetin shtetasit K. S. dhe nuk ia ka kthyer.
Punohet për kapjen e dy shtetasve dhe sqarimin e rrethanave.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një të mitur, pasi dyshohet se ka kryer një vjedhje në një banesë. Në cilësinë e provës materiale, atij iu sekuestruan 2 celularë dhe një shumë parash.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.





