Pas 3 orësh nga ngjarja e përfolur e pengmarrjes së 11 vjeçares nga kushëriri 46- vjeçar, policia mundi të nxjerrë nga banesa Arben Kabashin. Pas dështimit të negociatave, efektivët hodhën gaz neutralizues në banesë. Tymi i përhapur detyroi të sëmurin me të meta mendore të dorëzohet dhe të dalë nga banesa. Ai u shoqërua nga policia për në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit.
Policia thotë se në banesën e agresorit ishte edhe nëna e tij, ku falë ndërhyrjes së specializuar është bërë e mundur fillimisht nxjerrja e saj nga banesa.
Policia ka dhënë edhe versionin e saj, duke zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Njoftimi i Policisë
Më datë 15.08.2016, rreth orës 07:00, në Kodër Rrashbull, shtetasi Arben Kabashi, 46 vjeç, ka kapëryer murin rrethues dhe është futur në banesën e komshiut , ku ka marrë me forcë në banesën e tij, vajzën e komshiut, shtetasen e mitur, Xh.K. 11 vjeçe.
Në banesë ndodheshin vetëm tre vajzat pasi prindërit kishin ikur në punë më herët.
Me të marrë njoftimin menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Efektivat e Policisë së Durrësit, të cilët kanë rrethuar banesën.
Shtetasi i lartpërmendur i cili vuan nga depresioni mbante në dorë një thikë dhe kërcënonte se do të vriste vajzën.
Ndodhur në këto kushte, në pamundësi të faktorit kohë për të pritur forcat më të specializuara për të tilla ndërhyrje, efektivat e Policisë Durrës duke parë që po i kërcënohej seriozisht jeta vajzës, me iniciativë dhe me profesionalizëm kanë ndërhyrë me shpejtësi në disa drejtime duke i tërhequr vëmendjen agresorit.
Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe të specializuar të Policisë së Durrësit është bërë e mundur që e mitura të nxirret nga banesa e shtetasit Arben Kabashi dhe është dërguar në banesën e saj.
Fatmirësisht vajza është në gjendje të mirë shëndetësore por e traumatizuar psikologjikisht dhe policia menjëherë i ka çuar një psikologe.





