Durrës, 14 qershor 2014 – Biznesmeni i ndërtimit, Kujtim Dyrmishi është ekzekutuar nga vrasësit e tij sapo ka ndezur dhe vënë në lëvizje automjetin e tij. Sipas policisë, ai është goditur nga personat që ndodheshin në vendin e pasagjerit të mjetit me targa të Kosovës 012014KS. 

Policia ngriti postoblloqe të shumta përgjatë rrugëve që dalin nga plazhi i Durrësit dhe në një nënkalim në Rrashbull, në superstradën Durrës-Tiranë është gjetur i braktisur automjeti i 3 autorëve së bashku me armët e krimit. 

Rreth një orë pas ngjarjes, policia e Durrësit bën me dije se ka gjetur makinën e autorëve të vrasjes, të braktisur në zonën e Rrashbullit (ne foton poshte). Brenda saj, blutë e këtij qyteti kanë gjetur edhe 3 armë të tipit kallashnikov.

"Nga kontrollet e ndërmarra në një nënkalim në Rrashbull, autostrada Durrës-Tiranë është bërë e mundur gjetja e mjetit, të cilin autorët janë detyruar ta braktisin së bashku me armët e krimit", – thuhet në njoftimin e policisë.

Mësohet se në vendngjarje dhe në automjet janë gjetur rreth 20 gëzhoja, gjë që e shtyn policinë të mendojë se ekzekutuesit e 49 vjeçarit, nga Cerriku, por me banim në plazhin e Durrësit, nuk i kanë lënë atij asnjë mundësi të shpëtojë i gjallë nga atentati i përgatitur. Makina e perdorur nga autoret e krimit eshte derguar per t'iu nenshtruar ekspertizes dhe policia shpreson se mund te dalin te dhena te reja qe mund te çojne ne identifikimin e ekzekutuesve.

Burime nga grupi hetimor e klasifikojnë këtë krim si një vrasje me pagesë, të kryer nga profesionistë. Pista e hakmarrjes është ajo ku janë përqëndruar hetimet e para për zbardhjen e ngjarjes. Policia pritet të marrë në pyetje familjarë, të afërm dhe miq të biznesmenit, për të hedhur dritë mbi ndonjë konflikt të mundshëm të tij me persona të tjerë.

Pallatet e ndërtuara në zonën e plazhit duket se jane bere shkak per vrasjen e Kujtim Dyrmishit, ortakut te dytë të firmës së ndërtimit “Enigma”, vetëm 4 muaj pasi u ekzekutua biznesmeni Xhemal Çela nga shpërthimi me tritol në makinën e tij, ne aksin "Pavarësia", ne afersi te rezidencave qeveritare.

Hetuesit nuk përjashtojnë as pistën për larje hesapesh me 49-vjeçarin e dyshuar për atentatin e kryer me eksploziv ndaj Celës në janar të këtij viti, ndonëse ende vrasja e Celës ka mbetur e pazbardhur dhe është lidhur me serinë e krimeve të kryera nga banda e tritolit.   

Ngjarja

Një vrasje me armë zjarri ka tronditur paraditen e sotme zonën e plazhit në qytetin e Durrësit. Një person është ekzekutuar me armë zjarri në zonën e tregut Iliria, ndërsa paniku ka mbërthyer gjithë plazhin, ku pushuesit janë shtuar në fundjavë. bi viktimën kanë qëlluar dy persona që udhëtonin me një automjet me targa Kosove. Ata i kanë zënë pritë biznesmenit teksa dilte nga një dyqan dhe e kanë qëlluar me breshëri në momentin që 49-vjeçari Kujtim Dyrmishi hipi në mjetin e tij, tip ‘Benz’ me targa italiane DP411VF.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/