DURRËS, 6 shkurt 2014 –  Për automjetet që do të udhëtojnë nëpërmjet pikës kufitare të Durrësit, porta hyrëse do të mbyllet në orën 22:00 dhe jo në 22:30, si deri më tani. Kështu kanë vendosur më 5 shkurt 2014 tri agjencitë kryesore shtetërore në portin e Durrësit, në konsultim me agjencitë e trageteve. 

Më 5 shkurt 2014, nën kryesimin e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të kompanisë publike të Autoritetit Portual Durrës (APD) sha, u zhvillua një takim, që mori në shqyrtim situatën e vonesës në orarin e nisjes së trageteve, çka bëhet shkak për një seri anomalish, duke cenuar, para së gjithash, cilësinë e shërbimit të udhëtarëve, njoftoi Elitjona Doko, zëdhënëse e re e APD-së. Përfaqësuesit e portit, kapitanerisë dhe policisë kufitare kërkuan që agjencitë të marrin masa më efektive për disiplinimin e nisjes, që nga informimi i udhëtarëve dhe deri në përpunimin e tyre të shpejtë e me standarde. Ndërsa këta të fundit kërkuan më shumë ritëm e efektivitet në kontrollin e mjeteve para nisjes. Pikërisht, me shqetësimin për të shkurtuar kohën e përpunimit dhe për të rritur cilësinë pa cenuar elementët e kontrollit dhe sigurisë, konsulta vendosi të ndryshojë orën e mbylljes së hyrjes për automjetet nga 22.30 në 22.00.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/