·        Dy transportues me pronare dhe menaxhere dy kompani detare libaneze dhe një me pronësi rumune vinin nga portet libiane për të ngarkuar 15 500 tonë çimento të prodhuar nga fabrikat libaneze të Elbasanit dhe Fushë-Krujës

·        Të tri anijet parashikohet t’i ngarkojë në Terminalin Perëndimor kompania stivadore gjermane, pjesë e koncesionarit të Terminalit Lindor, dhe një takim i CEO-s së APD sha me krerët e misionit diplomatik të Bonit në Tiranë

DURRËS, 28 qershor 2014 –  Të shtunën, më 28 qershor 2014, në një ditë të nxehtë vere, porti kryesor i vendit “rrezitej” në diell, pasi nuk kishte asnjë mjet lundrues transporti mallrash për t’u përpunuar, teksa në radë presin nga data 16, 19 dhe 24 qershor 2014 tri anije për të ngarkuar 15 500 tonë çimento për eksport.

“Pushim”

Me sa duket, edhe kalatat e mjetet  në portin e Durrësit duan të bëjnë “pushim” ditën e shtunë, pasi, sipas raportimeve të dispeçerisë së drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të kompanisë publike  Autoriteti Portual Durrës (APD) sha,  në basenin e brendshëm nuk kishte asnjë anije transporti mallrash për shkarkim (shih faksimilen e raportit ditor).

Bëjnë përjashtim tragetet dhe anijet e patrullimit të Rojës Bregdetare.

Nga ana tjetër mbetet ende e pashpjegueshme pse në radën e jashtme të portit janë pritje tri anije për të ngarkuar 15 500 tonë çimento për eksport gjithsej, njëra nga të cilat gjigante, me tonazh 30 mijë tonë, të cilat vijnë nga Libia.

Info për transportuesit e radës

Lady Eman  (në foton 1, më 29 maj 2014, duke u përpunuar në portin e Durrësit, foto Edi Gjata), është nisur nga porti libian i Tripolit më 13 qershor 2014 dhe ka hyrë në radën e Durrësit më 16 qershor 2014; ka 12 ditë që pret për të ngarkuar 5 800 tonë çimento; ka flamur të Tanzanisë; pronar e menaxher kompaninë libaneze  Island Navigators Management  me seli në kryeqytetin Bejrut; tonazh 5 271 tonë.

Amal  (në foton 3, më 28 prill 2014, duke u përpunuar në portin e Durrësit, foto Edi Gjata), është nisur nga porti libian dhe ka hyrë në radën e Durrësit më 19 qershor 2014, ku këtu është ngarkuar 13 ditë më parë, më 6 qershor 2014; ka 9 ditë që pret për të ngarkuar rreth 4 mijë tonë çimento; ka flamur të Kamboxhias; pronar e menaxher kompaninë libaneze  Alfamarine Shipping  me seli në kryeqytetin Bejrut; tonazh rreth 3 mijë tonë.

Princess Maria  (në foton 3, në radë) ka hyrë në radën e Durrësit më 24 qershor 2014; ka 4 ditë që pret për të ngarkuar 5 700 tonë çimento; ka flamur të Panamasë; pronar e menaxher kompaninë rumune me seli në portin e Konstancës  Arados Shipping; tonazh mi 30 mijë tonë.

Të tri anijet kanë të njëjtën agjenci detare shqiptare:  Alba Transport

Nuk dihen humbjet që u shkaktohen si anijeve, agjencisë, stivadorit; por, nuk dyshim, që kontrastalitë (pagesat për vonesat) do të përballohen nga prodhuesit e çimentos, mes të cilëve janë dy fabrika të mëdha, ish-shtetërore shqiptare,  Elbasan Cement Factory Shpk  dhe  Fushe Kruje Cement Factory Shpk; konsorciumi anglo-libanez Seament Albania zotëron 77 për qind të pjesëve të kapitalit të ndërmarrjes Elbasan Cement Factory Shpk dhe 100 për qind të pjesëve të  kapitalit të ndërmarrjes Fushe Kruje Cement Factory Shpk.

Gjermanët

Tri anijet janë parashikuar të përpunohen në Terminalin Perëndimor në kalatën 2 nga e njëjta kompani private gjermane:  ASC (Albanian Stevedoring Company), pjesë e grupit  EMS-Fehn-Group, që ka marrë edhe koncesionin e Terminalit Lindor dhe që quhet  EMS – APO (Albanian Port Operator); Jens-Uwe Ströber, drejtori ekzekutiv i “Albanian Stevedoring Company” shpk (ASC), është zgjedhur zëvendëspresident i Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA).

Meqë ra fjala, drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i kompanisë publike Autoriteti Portual Durrës (APD) sha, z. Selim Belortaja, në mesditën e së mërkurës, më 25 qershor 2014,  ka pritur në një takim Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, SHT Hellmut Hoffmann dhe zëvendësambasadorin, z. Erik Tintrup (që mbulon drejtimin e sektorit ekonomik në selinë diplomatike gjermane).

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/