Durrës, 13 qershor 2014 – Ngritja e portit të jahteve në Durrës pritet të jepet me koncension. Ministria e Transportit ka hapur procedurën konkurruese më datën 9 Qershor “për dhënien me koncension të portit të Jahteve, Durrës, për ndërtimin, shfrytëzimin e tij dhe transferimin në pronësi të shtetit” (forma BOT) procedurë e cila do të mbyllet më 15 Korrik.

Koncesioni është mënyra më e mirë për thithjen e investitorëve të huaj, hapjen e vendeve të punës dhe nxitjen e turizmit. Ky nuk është rasti i parë i koncesionit në këtë fushë, pasi kjo procedurë është ndjekur edhe për portin e Jahteve në Orikum që në vitin 1996 dhe në Qershor të vitit 2009 është zhvilluar tenderi për portin e Jahteve në Gjirin e Lalzit, pranë Kepit të Rodonit, ku u paraqit vetëm një ofertë nga shoqeria “Ener-Alb Projects” me vlerë investimi prej 9.6 milion eurosh e cila u shpall edhe fituese.

Koncesioni për të ndërtuar dhe përdorur portin e jahteve në këtë zonë kishte një afat prej 32 vjetësh. Një tjetër port jahtesh që është dhënë me koncension në vitin 2013 dhe që ka ngjallur debate të mëdha mes forcave politike është porti i jahteve pranë Urës së Dajlanit në Durrës dhe subjekti i cili ka fituar tenderin për koncesionin të tipit “BOT” është “Adriatic Yachting Marina”. Partia Socialiste në atë kohë tha se me ardhjen në pushtet do ta anulojë këtë tender, pasi është dhënë në kushte jo transparente.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/