DURRËS, 1 dhjetor 2014 –  Më 27 dhe 28 nëntor 2014 në Bari (Itali) u zhvillua konferenca përmbyllëse e Projektit ADB Multiplatform. Autoriteti Portual i Durrësit (APD) u përfaqësua në konferencë nga një delegacion në përbërje të të cilit ishin kryetari i këshillit drejtues Gentian Beqiri, nënkryetari Frederik Seiti, drejtori i sektorit të projekteve dhe promocionit Arben Xhemali dhe përgjegjësja e sektorit të projekteve Mirelë Shani. Zëvendësdrejtori i përgjithshëm ekzekutiv z. Artjan Qirici dorëzoi Memorandumin e Mirëkuptimit, nënshkruar nga drejtori i përgjithshëm ekzekutiv Selim Belortaja në emër të APD-së, njoftoi zëdhënësi Gëzim Kabashi.

TEMATIKA

Tematika kryesore e konferencës përmbyllëse ishte harmonizimi i procedurave ligjore / administrative dhe të IT (teknologjia e informacionit) për transportin në korridoret e lëvizjes në vendet e Evropës juglindore të përfshira në projekt. Përdorimi i transportit alternativ dhe sigurimi i transportit multimodal përbën edhe qëllimin dhe ndikimin kryesor të projektit; zvogëlimi i kostove të jashtme, pa i rritur kostot e transportit, si dhe ngritja e qendrave të trajnimit për zhvillimin e njohurive dhe metodikave të përbashkëta për transportin përgjatë korridoreve të lëvizjes në vendet e Evropës Juglindore; praktikat e njehsuara doganore, që lejojnë nisjen e procedurave gjatë udhëtimit, për të siguruar një lëvizje më fluide të ngarkesave.

Info

Në Projektin, që sapo përfundoi, ku APD-ja ishte partner prej dy vjetësh, janë përfshirë edhe 14 institucione dhe kompani nga 10 vende të rajonit të Evropës Juglindore. Partneri lider i Projektit është rajoni i Friuli Venecia Xhulias në Itali.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/