DURRËS, 27 shkurt 2014 – Porti më i madh i Shqipërisë, një nga portet kryesore të Adriatikut perëndimor, gdhin më 27 shkurt pas asnjë anije për përpunim në kalata dhe radë. Sipas raportit ditor, 27 shkurti 2014, ora 7:15 paradite, raport që hartohet nga dispeçeria e drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të kompanisë publike Autoriteti Portual Durrës (APD) sha (shih faksimilen), si rrallë herë, porti gdhin pa asnjë mjet lundrues si në akuatorium ashtu dhe në radë. Ndërkohë anija “Sajda” ka njoftuar se rreth orës 15:00 të datës 27 shkurt 2014 do të bregëzohet në kalatën nr. 11 të terminalit lindor. Sipas AIS-it (sistemi i identifikimit automatik) “Sajda” është nisur nga porti libian i Misratah-ut më 11 shkurt 2014, ora 17:42 me një ngarkesë prej 2 mijë tonë skrap për nevojat e kompanisë turke metalurgjike “Kurum”, e cila ka koncesionin e terminalit të kontejnerëve dhe agjenci detare në portin e Durrësit. Anija mban flamur Belize, ndërtuar në vitin 1983. Ndërkohë është njoftuar se do të mbërrijë më 28 shkurt 2014 anija “Sea Star” për të ngarkuar 5 100 tonë çimento me paleta për eksport në kalatën nr. 2. Mban flamur Sierra Leone, ndërtuar në vitin 1978.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/