DURRËS, 27 maj 2015 –Drejtoria e përgjithshme ekzekutive e kompanisë publike Autoriteti Portual Durrës (APD) sha reflekton, pasi anija me sondë nafte nuk do ta shkarkohet te sheshi i kromit e hekur-nikelit, por në kalatën nr. 5. Sipas “raportit ditor të anijeve të transportit”, datë 27 janar 2014, ora 15:26 (shih faksimilen) të dispeçerisë së APD sha, anija “BBC Colorado” me 421 tonë makineri, është bregëzuar ora 14,50’ në kalatën nr. 5 (terminali perëndimor i mallrave të përgjithshme / gjenerale), ku po shkarkohet nga kompania aksionare shqiptare e ngarkim-shkarkimit “Egnatia 1”. Sikurse ka shkruar “Dyrrah”-u (shih: http://www.durreslajm.com/investigim/shkelet-master-plani-anija-me-sonde-nafte-cohet-te-kromi) gazeta ka lexuar, jo pa habi, në raportin ditor të anijeve të transportit se anija “BBC Colorado” e kompanisë gjermane “Bockstiegel Reederei”, me filial kompaninë tjetër gjermane “EMS Shipping and Trading GmbH”, koncesionar i terminalit lindor “EMS APO”, është planifikuar nga ana e drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të APD sha të shkarkojë 421 tonë makineri në kalatën nr. 11 (terminali lindor), i destinuar, në bazë të master-planit, për minerale. Terminali perëndimor, që administrohet nga APD-ja, është e specializuar për mallra të përgjithshme, pra për makineritë e “BBC Colorado”-s”. Edhe pse bëri një sërë argumentesh në favor të gjermanëve, drejtoria la një shteg në përgjigjen drejtuar “Dyrrah”-ut: “referenca e vetme për dispeçerinë (për ta përfshirë apo jo në planin paraprak) në këtë rast mbetet kërkesa e agjentit detar dhe e operatorit EMS. Megjithatë, jemi ende në fazën e planit paraprak të dispeçerisë. Deri në ditën e përpunimit të anijes mund të ketë zhvillime të tjera, të cilat mund t’i japin hapësirë APD-së, që të vendosë ndryshe. Një hapësirë e tillë mund të jetë p.sh. kërkesa e ndryshuar e agjentit detar dhe kompanisë stivadore, ku ata të shprehen për preferencë të Terminalit Perëndimor”. Është për t’u përshëndetur reflektimi i drejtuesve aktualë të portit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





