* Studentë të ekonomikut, juridikut, inxhinierisë elektrike, gjuhëve të huaja mund të marrin pjesë në programin “Stazh profesional”, në periudhën 21 korrik-19 shtator 2014
DURRËS, 9 korrik 2014 – Në vend të plazhit, pushimet e verës mund t’i kalosh në një praktikë mësimore për t’u bërë doganier, kështu studentëve u ofrohet një praktikë mësimore në doganën e Durrësit në kuadrin e programit “Stazh profesional” (anglisht: internship), pa pagesë, për periudhën 21 korrik-19 shtator 2014.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, për këtë program falas ftohen të aplikojnë studentë të motivuar dhe të talentuar që janë të interesuar të fitojnë përvojë profesionale në fusha të ndryshme të administratës doganore, duke u integruar në aktivitetet e përditshme administrative dhe operacionale të institucionit.
Për t’u kualifikuar në këtë program, aplikantët duhet që të kenë përfunduar minimumi studimet e vitit të parë në universitet.
Parapëlqehen studentë të fakulteteve ekonomik, juridik, inxhinieri elektrike / elektronike, gjuhë të huaja, etj.
Për vetë shtrirjen territoriale të institucionit, studentëve u mundësohet pjesëmarrja në këtë program si në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave në Tiranë, ashtu edhe në të 17 degët e saj doganore, mes tyre në Durrës.
Dogana është afër plazhit. tek AGIP-i, dhe, me të mbaruar orët e praktikës, mund të kridhesh në det.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





