DURRËS, 8 korrik 2013 – Policia e Durrësit njoftoi sot se dy ditë më parë ka arrestuar në flagrancë shtetasin Albano Ajazi, 19 vjeç, banues në Fushë Krujë, i dënuar më parë për vjedhje.

Sipas policisë së Durrësit arrestimi i 19-vjeçarit u bë pasi më datë 05.07.2013, rreth orës 23.30, në afërsi të një kazinoje në  Fushë-Krujë, gjatë një konflikti të çastit ka tentuar të vrasë me armë zjarri duke e plagosur në dorë shtetasin me iniciale S.L., 28-vjeç, banues në fshatin Larushk Fushë-Krujë, i dënuar më parë për vjedhje me armë.

Nga ana e policisë u kryen veprimet e para hetimore në kuadër të së cilave u krye edhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i armës së zjarrit, pistoletë EKOL Tuna.

Aktualisht i dëmtuari ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë jashtë rrezikut për jetën.

Materialet për rastin në fjalë iu përcollën Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë.

Mbi 19-vjeçarin rëndon akuza për kryerje e veprës penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe ”Mbajtje pa leje e armëve luftarake”.