DURRËS, 23 maj 2013– Ditën e djeshme më datë 22.05.2013, ora 22.00, Seksioni Kundër Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, realizuan operacionin policor "Adoleshenti” me fokus goditjen e rasteve të prodhimit e hedhjes në qarkullim të kartmonedhave të falsifikuara.

Në kuadër të këtij operacioni nga këto struktura u kapën e arrestuan në flagrancë 2 shtetas.

Sadik Dinga, 23 vjec, lindur në Ishëm e banues në lagjen 13 Durrës.

Shtetasi në fjalë u kap në flagrancë në lagjen nr-12 të qytetit Durrës, duke vënë në qarkullim një sasi prej 4.000 lekësh, në prerje 1.000-lekëshe, të falsifikuara. Sipas policisë nga hetimet e kryera rezultoi se sasinë e kartmonedhave të falsifikuara personi në fjalë e kishte siguruar nëpërmjet shtetasit Roland Demaliaj.

Roland Demaliaj, 33 vjeç, lindur në Tropojë e banues në lagjen nr-18  Durrës.

Në bazë të hetimeve të kryera nga ana e policisë rezultoi se ky shtetas prodhonte dhe në bashkëpunim me shtetasin Sadik Dinga shiste kartmonedha të falsifikuara, duke përdorur të rinj adoleshentë për hedhjen e tyre në treg.
Sipas policisë gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Roland Demaliaj u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një kartmonedhë 1000-lekëshe e falsifikuar dhe një laptop së bashku me printer-skaner, të cilat përdoreshin prej tij për të printuar monedhat falso.

Nga kjo strukturë policore po vijon hetimi në drejtim të identifikimit të bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë veprimtari penale.
Materialet proceduriale të përpiluara iu përcollën Prokurorisë Rrethit Durrës për vepren penale te ”Falsifikimit te monedhave”, parashikuar nga neni 183/2 i Kodit Penal.

Sipas burimeve të policisë goditja e këtij rasti të falsifikimit të monedhave vjen si rrjedhojë e masave që Policia e Durrësit ka ndërmarrë pas paraqitjes së disa rasteve nga qytetarë për vënien në qarkullim të monedhave të falsifikuara nga të rinjtë. Puna hetimore e kryer i orientoi strukturat Kundër Krimit Ekonomik drejt identifikimit e kapjes së dy prej personave të dyshuar si përgjegjës për këtë veprimtari të kundërligjshme.