Arrestohet në Durrës një 25-vjeçar nga Tirana, i cili ka tentuar të korruptojë policin kufitar me 40 euro, në këmbim të lënies së tij të lirë për të shkuar në Itali.
Arrestimi i Alvaro Çaushajt, 25 vjeç, banues në Tiranë, u krye mbrëmjen e djeshme nga efektivët e Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit.
“Shtetasi i mësipërm, ka tentuar të korruptojë duke i ofruar 40 € shefit të Stacionit të PKM-së Durrës, sepse në momentin që është paraqitur në PKK-në Durrës, për të udhëtuar në Itali me tragetin e linjës Bari – Durrës, i është refuzuar dalja për arsye se nuk plotësonte kushtet financiare për në destinacionin e planifikuar; nuk justifikonte qëllimin dhe rrethanat e qëndrimit të planifikuar si dhe kishte ndalim hyrje në Zonën Shengen”, bën me dije policia.
Për veprime të mëtejshme, materialet i kaluan Seksionit për Krimin Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.