DURRES, 22 qershor 2013 – Mesditën e ditës së sotme blutë e komisariatit të policisë Durrës kanë vënë në pranga 37-vjeçarin Gazmend Syziu.
Aktualisht policia e Durrësit po kryen veprimet e para hetimore, lidhur me këtë shtetas, i cili shkaktoi dëmtimin e një prej reklamave të një subjekti politik në Durrës.
Sipas njoftimit të policisë, shtetasi në fjalë, Gazmend Syziu 37-vjeç, lindur e banues në Durrës, rreth orës 14.30, në lagjen Nr.4 Durrës, në segmentin rrugor ndërmjet Stacionit të Trenit dhe qendrës tregetare "Bluestar", ka thyer me mjete rrethanore xhamin e një prej reklamave (billbord) të një subjekti politik dhe më pas është larguar me qëllim shmangjen e përgjegjësive.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë, të cilat kanë ndërhyrë në kohë, pasi kanë mbledhur të dhënat e nevojshme mbi autorësinë e ngjarjes, kanë lokalizuar në një distancë relativisht larg vendit të ngjarjes shtetasin në fjalë, i cili paraprakisht nuk i është bindur urdhërit të punonjësve të Policisë për shoqërim dhe sqarim të rrethanave si dhe gjatë kapjes e shoqërimit për në Polici ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë në detyrë.
Aktualisht nga ana e policisë së Durrësit po vijojnë veprimet e para hetimore për arrestimin në flagrancë të këtij shtetasi për veprat penale të shkatërrimit të pronës dhe kundërshtimit të punonjësit të Policisë.





