Durrës, 9 maj 2014 – Dy policë të qarkullimit rrugor në Durrës janë prangosur nga kolegët e tyre në kuadër të operacionit "Aksident i rremë" nën akuzën “Falsifikim të dokumentave nga personat që kanë për detyrë të lëshojnë dokumentin”.
Për dy policët, F.Krosi dhe K.Bregu, gjykata e Tiranës kishte vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” në bazë të hetimit të zhvilluar nga prokuroria e kryeqytetit.
Mësohet nga burime policore, se dy efektivët e ndaluar krijonin aksidente fiktive me qëllim që të përfitonin para nga kompanitë e sigurimeve. Së bashku me ta, për falsifikim dokumentash dhe mashtrim është arrestuar edhe një bashkëpunëtor i tyre, shtetasi V.Suti. Falsifikimi i dokumentave nga Krosi, Bregu dhe Suti ka ndodhur në vitin 2009.
Nga hetimi ka rezultuar se punonjësit e policisë rrugore, F.Krosi dhe K.Bregu, në bashkëpunim me shtetasin V.Suti, ne vitin 2009, kanë falsifikuar të dhënat në dokumenta zyrtarë, duke krijuar aksident fiktiv me qëllim mashtrimin e kompanive të sigurimit. Në bashkëpunim me njeri-tjetrin ata kanë përfituar shuma parash në mënyrë të paligjshme. Nëpërmjet këtij mashtrimi, bashkëpunëtori i dy policëve kishte arritur të përfitonte nga kompanitë e sigurimit rreth 1 milionë lekë të reja.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





