DURRES, 4 gusht 2013 – Policia e Durrësit ka arrestuar në flagrancë dy shtetas Guri Marku, 42- vjeç, banues në Shijak dhe Fatmir Norja, 52- vjeç, banues në Rreth, roje private pranë radiostacionit të Rrethit.
Arrestimi i këtyre dy shtetasve sipas policisë së Durrësit u bë pasi nga veprimet e para hetimore të kryera lidhur me një ngjarje të ndodhur mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23,00, në këtë radiostacion rezultoi se shtetasi Guri Marku, ka qëlluar me një armë zjarri automatike shtetasin Fatmir Norja.
Kjo armë ishte sjellë dhe mbahej pa leje në këtë ambient nga vetë i plagosuri Fatmir Norja.
I dëmtuari ndodhet nën trajtim mjekësor në spitalin ushtarak në Tiranë.
Sipas policisë së Durrësit, materialet për kryerjen e veprave penale, plagosje nga pakujdesia për Guri Markun dhe mbajtje pa leje e armëve të zjarrit për Fatmir Norjen iu përcollën prokurorisë së rrethit Durrës.





