Durrës, 5 prill 2014 – Në 24 orët e fundit blutë e Durrësit u kanë vënë prangat 3 shtetasve të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Mes të arrestuarve është dhe një 28 vjeçare, e akuzuar për vjedhje.
Migena Çaushi, banuese në Durrës është arrestuar pasi ndaj saj ekziston një vendim i Gjykatës së Durrësit, i datës 18.12.2009, i cili e dënon këtë shtetase me 3 muaj burg për veprën penale “Vjedhje”. Çaushi rezultonte e shpallur në kërkim që nëntorin e vitit 2012, por prangosja e saj u bë e mundur një ditë më parë.
Krahas Çaushit, policia ka arrestuar edhe dy shtetas të akuzuar për “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve e municioneve luftarake”, “Dhunë në familje” dhe “Vjedhje”.
Mësohet se policia ka ndaluar Armando Hysën, 37 vjeç, banues në komunën Xhafzotaj, i cili ishte shpallur në kërkim me datë 16.02.2014, pasi Gjykata e Rrethit Durrës, me vendim datë 23.02.2014 ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje. Ndërsa pasditen e së premtes, policia e Durrësit ndaloi shtetasin e shpallur në kërkim Enkliev Bardho, 18 vjeç, banues në Durrës, që dyshohet të jetë autori i vjedhjes së telefonit celular Iphone shtetasit K.Ç. më datë 27.03.2014.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





