Durrës, 20 qershor 2014 – 6 hajdutë janë kapur nga efektivët e policisë së Durrësit dhe Krujës në 24 orët e fundit.
Tentativa e një 17 vjeçari nga Hasi për t’i vjedhur celularin e markës Samsung një 19 vjeçareje nga Durrësi, mu në qendër të qytetit bregdetar, ka dështuar. Ndërhyrja kurajoze e një kalimtari të rastit dhe mbërritja e shpejtë e policisë në vendngjarje bënë të mundur prangosjen e 17 vjeçarit S.V. (ne foto momenti i ndalimit të hajdutit adoleshent). Ngjarja u regjistrua rreth orës 19.30 në lagjen nr.3 të qytetit bregdetar, përballë me prefekturën. Në cilësinë e provës materiale hajdutit adoleshent iu gjet dhe iu sekuestrua telefoni i vjedhur.
Po një ditë më parë, rreth orëve të mesditës, 34 vjeçari nga Durrësi Lulëzim Meçani, bashkë me djalin e tij 13 vjeçar H.Meçani, është kapur duke vjedhur kabël elektrik në ambientet e një pularie në Shën Vlash. Pozita e 34 vjeçarit të arrestuar rëndohet edhe më tej për faktin se veç akuzës për vjedhje në bashkëpunim ai akuzohet edhe për akuzën “Shtytja e të miturit në krim”, duke qenë se kishte marrë me vete edhe të birin për të pasur një ndihmë më shumë gjatë kohës që vidhte kabllot e korentit.
Donte te vidhte nje bombel gazi dhe nje pale shkalle, ne nje shtepi ne lagjen nr.7 ne Durres, por zhurma qe ka bere gjate oreve te nates ndersa tentonte te largohej nga shtepia e vjedhur i ka kushtuar shtrenjte. 37 vjeçari Mentor Merga, nga Durresi ehste prangosur ne flagrance nga forcat e rendit, te cilet sekuestruan ne cilesine e provave materiale 2 objektet e vjedhura.
Policia e Krujës nga ana e saj ka mundur të çojë pas hekurave 3 autorët e vjedhjes së njërës prej qendrave shëndetësore të qytetit. Brenda 24 orëve, policia ka mundur të identifikojë dhe të kapë 3 bashkautorët e përfshirë në këtë ngjarje.
Burime policore bëjnë të ditur se janë prangosur shtetasit: E.A., 17 vjeç, Denis Loci, 19 vjeç dhe Rigers Kullaj, 36 vjeç, që të tre banues ne Krujë.
Gjatë vjedhjes së qendrës shëndetësore në lagjen nr.2 të Krujës, 3 hajdutët kanë marrë prej andej 3 copë kompjutera, 3 pajisje qendrore, 1 printer, 2 bateri kompjuteri, objekte këto të cilat u gjetën në banesen e shtetasit Rigers Kullaj.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





