Fushë Krujë, 13 qershor 2014 – Zbardhen detaje të reja nga grabitja e ndodhur dje në Fushë-Krujë. Sipas informacioneve që vijnë nga policia, mësohet se grabitësit morën 100 mijë lekë në zyrën e financës. Për kapjen dhe identifikimin e autorëve, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA, ushtruan kontrolle në disa ambiente dhe banesa.
Mësohet se në polici janë shoqëruar 6 persona të dyshuar si autorë, njëri prej të cilëve rezultoi të ishte grabitësi. Bëhet fjalë për shtetasin Dritan Pula, 39 vjeç nga Kruja. 39-vjeçari rezulton një person me precedent penal, i dënuar më parë për grabitje dhe kanosje. Ndërkohë, policia po punon për identifikimin e autorëve të tjerë, që morën pjesë në grabitje.
Grabitja me armë ndodhi mesditën e djeshme në Fushë-Krujë. Ngjarja u regjistrua në firmën “Shijaku shpk”, ku disa persona të armatosur dhe të maskuar kanë hyrë në ambientet e firmës, duke grabitur një shumë parash.
Si fillim, grabitësit i kanë marrë armën rojes së firmës dhe më pas kanë marrë të gjithë xhiron ditore. Mësohet se kjo firmë, merret me aktivitetin e ndërtimeve, hekurishteve, dhe me shitje materialesh ndërtimi.
Pak orë pas ngjarjes, policia gjeti të djegur automjetin tip “BMW” me të cilën grabitësit u larguan nga vendi i ngjarjes. Mësohet se makinës i është vënë flaka në vendin e quajtur Ura e Gjolës.





