Durrës, 11 prill 2014 – Arrestohen dy shtetas që dyshohet se janë të përfshirë në trafikimin e sasisë rekord të kanabis sativës të bllokuar në portin e Durrësit në datë 8 prill.

Më herët gjatë ditës u arrestua nga policia e Durrësit 33 vjeçari Burim Gjunkshi, nga Dibra e madhe, Maqedoni, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar me shoferin e kamionit, Aco Nikolovski, për të transportuar drejt Italisë 2365 kg kanabis sativa. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga policia në datë 9 prill dhe një ditë më vonë u bë i mundur arrestimi i tij.

Ndërkohë disa orë më vonë, gjatë mesditës së të premtes, policia e Lushnjes ka prangosur për llogari të kolegëve të tyre nga Durrësi 43 vjeçarin Petrit Manhasa, banues në Peqin Elbasan. Ky shtetas ishte dënuar më parë me 9 vjet burg për veprën penale të vrasjes. Ai rezulton të jetë organizatori i trafikimit të sasisë prej 2365 kg kanabis sative drejt Italisë. Kapja e tij u realizua në një lokal në qytetin e Lushnjes.

“Ndërkohë puna hetimore për identifikimin e gjithë personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale do të vijojë edhe më pas”,- njofton policia e Durrësit.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia kufitare në trajlerin Scania me targë koke  SU0172SB dhe targë trajleri SU0094SB, u zbulua e fshehur në 45 divane sasia rekord e kanabisit, plot 2365 kg. Në datë 8 prill policia arrestoi shoferin e kamionit, shtetasin maqedonas Aco Nikolovski, ndërkohë që nisi hetimet për të zbuluar të tjerë persona që kishin lidhje me këtë trafik ndërkombëtar droge drejt Italisë.

Nga hetimet e kryera u zbulua se sasia e madhe e kanabisit ishte ngarkuar në Maqedoni dhe po kalonte tranzit në vendin tonë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/