DURRES– Policia e Durrësit vë në pranga një tutor dhe një 22 vjeçare që ushtronte prostitucion. Një ditë më parë, efektivët e sektorit kundër trafiqeve kanë ndaluar dy persona mbi të cilët rëndon akuza shfrytëzim dhe ushtrim prostitucioni.
Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se kanë arrestuar shtetasin Andiol Periku 21, banues në lagjen nr.13 Durrës si dhe 22 vjeçaren me iniciale V.D., banuese në Durrës. Për një periudhë 1 mujore 21 vjeçari Periku i siguronte 22 vjeçares klientë kundrejt pagesës prej 4000-5000 lekë të reja. Duket se dy të rinjtë bashkëpunonin njëri me tjetrin në zonën e Plazhit të Durrësit dhe fitimet nga "biznesi" fitimprurës i ndanin së bashku.
Mbi 21 vjeçarin Periku rëndon akuza për shfrytëzim prostitucioni, ndërsa shtetasja V.D. akuzohet për ushtrim prostitucioni, vepra penale këto të ndaluara me ligj. Policia prej kohësh po i mbante nën vëzhgim dy të rinjtë dhe ka dokumentuar disa raste kur shtetasja V.D. u ka ofruar shërbime seksuale klientëve të ndryshëm, të siguruar nga tutori i saj apo ajo vetë.
Materialet mbi këta dy shtetas i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së rrethit Durrës.





