DURRËS, 3 shkurt 2015 – Të martën paradite, më 3 shkurt 2013, pa praninë e medieve, në institucionin e Prefektit (nuk ekziston termi juridik apo gjeografik “prefekturë”) të Qarkut Durrës u zhvillua mbledhja e njësisë operative vendore (NJOV). Sipas administratës së Prefektit, në këtë mbledhje u diskutuan mbi ecurinë e punës për 2014 së NJOV-it dhe marrjen e masave të nevojshme në lidhje me situatën emergjente që mund të krijohet në ditët në vazhdim.
Nga drejtori i OSHEE-së Plator Mehmeti u relatua mbi rezultatet e punës në drejtim të arkëtimit të energjisë elektrike, faturimit të faturës koherente, humbjeve në rrjet, aktmarrëveshjeve të lidhura ndërmjet OSHEE-së dhe subjekteve të ndryshëm, bashkëpunimi me prokurorinë dhe policinë e shtetit. Gjithashtu u paraqitën detyrat për periudhën në vazhdim, ku ndër objektivat kryesorë është ulja e humbjeve në rrjet, rritja e arkëtimeve, përmirësimi i cilësisë së rrjetit të shpërndarjes dhe mirëmbajtjes së tij si dhe koordinimi dhe bashkëpunimi ndërinstitucional në drejtim të përmirësimit të treguesve të ndryshëm në drejtim të menaxhimit të energjisë elektrike.
Në lidhje me menaxhimin e situatës emergjente në ditët në vazhdim, Prefekti Rolant Xhelilaj la detyra konkrete për marrjen e masave nga të gjitha agjencitë e OSHEE-së për të qenë në gatishmëri të plotë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





