DURRËS, 23 maj 2013– Fushata zgjedhore e 23 qershorit, nuk duhet të bëhet pengesë për mbarëvatjen e sezonit turistik. Kështu ka deklaruar prefekti i qarkut Durrës Genc Juka, në mbledhjen e Komitetit Rajonal të Turizmit, ku të pranishëm ishin përfaqësues të njësive vendore dhe institucionet përgjegjëse.

"Periudha e fillimit të sezonit të ri turistik veror këtë vit përkon dhe me fushatën zgjedhore dhe zgjedhjet e përgjithshme, prandaj do të kërkoja nga të gjithë të pranishmit, që angazhimi dhe përgjegjësia jonë të jetë edhe më e madhe për sa i përket një ecurie sa më normale të sezonit turistik veror, në mënyre të tillë, që si pushuesve vendas ashtu dhe të huaj ti sigurohen të gjitha kushtet e nevojshme", tha Juka

Në cilësinë e kryetarit të Komitetit Rajonal të Turizmit, prefekti i Qarkut Durrës Genc Juka ka evidentuar disa nga problematikat që shoqërojnë turizmin sot, duke kërkuar seriozitet e angazhim maksimal nga përsa i përket mbarvajtjes dhe ecurisë së  turizmit nga ana e të pranishmëve. Ndërsa theksoi se synimi i këtij komiteti mbetet që turizmi në qarkun e Durrësit, të jetë gjithë-vjetor.

"Investimet në drejtim të infrastrukturës në rrugë, ujësjellës-kanalizimeve, mjedis-gjelbërimit, investime në infrastrukturën elektrike, kanë marrë një zgjidhje konkrete këtë sezon. Por, problem mbeten për këtë sezon mungesa e banjove e dusheve publike, rojet bregdetare, zhurmat si dhe mungesa e shërbimeve publike për pushuesit. Shëtitoret në Durrës janë kthyer në një treg të mirëfilltë për shitësit ambulant, duke i dhënë një imazh të shëmtuar qytetit bregdetar", evidentoi në fjalën e tij prefekti Juka.

Teksa ka evidentuar disa nga problematikat që e shoqërojnë turizmin, Juka ka kërkuar më shumë angazhim e përgjegjësi përsa i përket ecurisë sa më normale të sezonit turistik veror. Përballë problemeve të ngritura në takim, kryetari i Këshillit të qarkut Durrës Armand Teliti ka ofruar mbështjetjen e intitucionit që ai drejton. I pranshëm në takim drejtori i Tatim-Taksave ka ngritur shqetësimin e bizneseve hoteleri, të cilët nuk deklarojnë aktivitetin e tyre, duke kërkuar mbështetjen e të gjithë institucioneve me qëllim shmangien e evazionit fiskal.

Gjatë mbledhjes u kërkua gjithashtu, nga prefekti i qarkut Durrës, planifikimi i  buxheteve nga njësitë vendore, me qëllim investimi në zonat turistike, të cilat paraqesin mungesë të theksuar në drejtim të investimeve në infrastrukturën e përgjithshme turistike.

/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/