DURRËS, 6 maj 2015 – Të mërkurën, më 6 maj 2015, Prefekti i qarkut Durrës Rolant Xhelilaj së bashku me Kryetarin e Këshillit të qarkut Alfred Mullaraj dhe përfaqësues të pushtetit vendor zhvilluan një takim me të rinjtë e “Unique Junior Enterprise”, organizatë rinore me seli në Tiranë, organizatën italiane “Jumplin” dhe atë turke “GM” në kuadër të projektit “Të Rinjtë për Natyrën – Shoqëria e Gjelbër në veprim /Youth for Nature – Green Society in Action”.
Sikurse ka njoftuar dhe “Dyrrah”-u qysh më 21 shkurt 2015, (http://www.durreslajm.com/sociale/durr%C3%ABs-27-student%C3%AB-turq-italian%C3%AB-dhe-shqiptar%C3%AB-n%C3%AB-pastrimin-e-plazhit) “Të Rinjtë për Natyrën” është një aktivitet 9-ditor i organizuar në tre vende (Turqi – shkurt 2015, Itali – prill 2015 dhe Shqipëri – maj) me nga 27 pjesëmarrës secili (gjithsej 81 veta) për pastrimin e plazhit, seminaret ekologjike, fotografimin dhe riciklimin e materialeve.
Më 4-12 maj 2015 një grup të rinjsh nga Turqia, Italia dhe Shqipëria do të vendosen në shtëpinë e pushimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për pastrimin e plazhit të Durrësit. Ata do të merren me pastrim plazhi, seminare / atelie ekologjike, fotografime dhe riciklim materialesh. Brenda nëntë ditësh shkëmbimesh në tre vendet pjesëmarrësit do të nxisin pjesëmarrjen në aktivitete të ndryshme jozyrtare dhe nëpërmjet tyre do të merren më shumë njohuri rreth çështjeve të larmishme ekologjike si dhe qasjeve të ndryshme të vendeve evropiane për problemet kryesore ekologjike si riciklimi ose në kërkim të burimeve alternative të energjisë.
Gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet e fundit të qytetit, problemet mjedisore që mund të hasen, zhvillimi i riciklimit në qytet etj. Prefekti Xhelilaj vlerësoi faktin që të rinj dhe të reja, të cilët, edhe pse nga kombësi dhe vende te ndryshme, kanë dhe ndajnë të njëjtin mendim dhe ide për mjedisin, e respektojnë dhe mbrojnë atë. Ai vuri në dukje mesazhin e fuqishëm që ata japin duke kontribuar në mbrojtjen e mjedisit. Kjo gjë tregon dhe vërteton shprehjen që mjedisi nuk na përket ne, atë ua kemi borxh brezave që do të vijnë.
Prefekti theksoi që të gjitha strukturat në nivel qarku si Institucioni i Prefektit, njësitë e qeverisjes vendore, Këshilli i Qarkut, institucione specifike, të cilat kanë në fokus mbrojtjen e mjedisit. janë gjithmonë aktiv në menaxhimin dhe mbrojtjen e mjedisit, edhe pse ka ende shumë për të bërë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/