DURRËS, 23 janar 2015 – Në mesditën e së premtes, më 23 janar 2015, institucioni i Prefektit të qarkut të Durrësit zhvilloi analizën e vitit 2014. Ishin të pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, kryetari i këshillit të qarkut Alfred Mullaraj, drejtori i koordinimit me prefekturat në Ministrinë e Punëve të Brendshme Bekim Murati, kryetarë të njësive të qeverisjes vendore, drejtues të institucioneve në nivel vendor etj.

Prefekti Rolant Xhelilaj bëri një panoramë të hollësishme të marrëdhënieve të institucionit të prefektit në raport me institucionet e nivelit qendror, me administratën shtetërore në nivel vendor dhe njësitë e qeverisjes vendore. Një vëmendje e veçantë iu kushtua realizimit të programit të qeverisë në drejtim të rendit dhe sigurisë, emergjencave civile, zhvillimit ekonomik, turistik dhe infrastrukturor në qarkun Durrës. U vlerësua puna e bërë në tatim-taksa, arsim, shëndetësi etj.

Në analizë u fol për punën e task-forcave që kanë operuar pranë institucionit të Prefektit si ajo e luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike, rritjes së nivelit të arkëtimeve dhe uljes së humbjeve në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike, reformës territoriale, shtabeve të emergjencës, komisionit vendor për realizimin e përkujtimit të ngjarjeve jubilare, komitetit rajonal anti-trafik, komitetit të turizmit, organit këshillues pranë prefektit etj. veprimtaria e të cilave u paraqit dhe me të dhëna statistikore.

Prefekti Xhelilaj tha se përparësi dhe objektiva për vitin 2015 janë zbatimi me tolerance zero i ligjit në të gjitha hallkat e veprimtarisë së Institucionit të Prefektit; rritja e gamës dhe cilësisë së bashkëpunimeve dhe koordinimit të veprimtarive me institucionet publike qendrore e lokale si dhe me operatorët privatë dhe shoqërinë civile; ngritja e kapaciteteve të punonjësve në të gjitha hallkat e institucionit të Prefektit; vëmendje të veçantë në problemet e zhvillimin të qëndrueshëm ekonomik të rajonit e sidomos në drejtim të sektorit të bujqësisë e të turizmit; mbrojtja e mjedisit si një pasuri që duhet t’ua trashëgojmë të padëmtuar brezave që vijnë; promovimi dhe implementimi i nismave për zgjerimin e sipërfaqeve të gjelbëruara; implementimi i suksesshëm i reformës administrative në qark; realizimi më saktë i detyrave të institucionit të Prefektit në kuadër të zgjedhjeve lokale 2014.

Kryetari i komunës së Xhafzotajt Agim Hoxha, ndonëse përfaqësues i PD-së, vuri në dukje bashkëpunimin me Prefektin. Por kryekomunari, nw disa mandate, jo nga pozita partiake, ngriti dhe problemin e reduktimit të transfertës së kushtëzuar për vitin 2015 (që i ka ardhur sa 39 për qind e asaj të pritshme). Hoxha kërkoi dhe ndihmën e Xhelilajt për pagat e administratës dhe shpenzimet në komunë, që janë përballuar deri tani me të ardhurat. Xhelilaj dhe Dako sqaruan problemet që dalin deri në qershor për transfertën për shkak të reformës territoriale, ku në qark do të ketë vetëm tri njësi të qeverisjes vendore (bashki). Kryebashkiaku i Durrësit Dako vlerësoi punën e Prefektit, bashkëpunimin mes dy institucioneve. Fjalë të mira tha dhe drejtori i koordinimit me prefekturat në Ministrinë e Punëve të Brendshme Bekim Murati.

Në vijimësi “Dyrrah”-u (durreslajm.com) do të pasqyrojë më me gjerësi problemet e shtjelluara në analizë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/