DURRËS, 1 qershor 2015 –  Të hënën, më 1 qershor 2015, Prefekti i qarkut Durrës Rolant Xhelilaj organizoi një takim ku u diskutua mbi masat e marra për menaxhimin e sezonit të ri turistik veror. Në këtë takim ishin të pranishëm drejtuesit kryesor të administratës që ofrojnë shërbime në lidhje me mbarëvajtjen e sezonit turistik veror si Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), Ujësjellës-Kanalizimet Durrës (UKD), drejtoritë rajonale të Shëndetit Publik (DRSH), Tatim-Taksave, Kulturës Kombëtare (DRKK), Agjencia Rajonale e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Ushqimit, Bordi i Kullimit, Policia e Mbrojtjes nga Zjarri dhe e Shpëtimit (PMNZSH, sektori i zjarrfikëses), drejtoria e Mjedisit pranë Autoritetit Portual Durrës (APD), Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë etj. Pjesë e takimit ishin dhe drejtues të qeverisjes vendore që zhvillojnë në mënyrë të veçantë turizmin në territoret e tyre si dhe operatorë turistikë privatë që operojnë në zonën bregdetare.

RENDI E SIGURIA PUBLIKE

Në fjalën e tij Prefekti i qarkut Xhelilaj bëri një panoramë të masave të marra në këtë drejtim nga të gjithë strukturat përkatëse në mënyrë të veçantë në drejtim të rendit dhe sigurisë publike në plazhe dhe zona turistike ku në kushtet e shumëfishimit të numrit të njerëzve që banojnë, marrin shërbime dhe qarkullojnë në qarkun tonë gjatë sezonit të verës, objektivi është që të krijojmë garanci të plotë për jetën dhe pronën publike e atë private të banorëve dhe turistëve. Për këtë qëllim janë programuar dhe po realizohen përgjatë gjithë sezonit shumë masa shtesë. PASTRIMI

Në të gjithë zonën bregdetare është kryer pastrimi tërësor i bregdetit nga leshterikët, Ndërmarrja Komunale e Plazhit pranë Bashkisë së Durrësit është në përfundim të punës për plugimin dhe dezinfektimin e rërës në të gjithë plazhin e Durrësit duke siguruar kushte optimale pastërtie. Po ashtu është vënë në efiçencë të plotë i gjithë sistemi i pastrimit që lidhet me vendosjen e kazanëve për hedhjen e mbetjeve, mënyrën e grumbullimit dhe evadimit të mbetjeve të ngurta si në breg të detit ashtu edhe brenda territoreve të zonave turistike.

FURNIZIMI ME UJË DHE ENERGJI ELEKTRIKE

UKD-ja po hyn e përgatitur në sezonin e ri turistik. Zonat Shkëmbi i Kavajës e Plazhi tradicional tashmë e kanë të zgjidhur problemin e furnizimit me ujë. Zgjidhja e plotë do të vijë së shpejti pasi do të kryhet një investim prej 75 milionë euro të dhëna nga Banka Botërore për Durrësin. Janë në fazën e tenderimit punimet që do të rrisin volumin e prurjes së ujit deri në garantimin e plotë të furnizimit me ujë 24 orë. Për të garantuar furnizim pa ndërprerje me energji elektrike, OSHEE-ja ka hartuar një plan shumë të studiuar me ndërhyrjet dhe riparimet e nevojshme në çdo hallkë të rrjetit të furnizimit. Programi përfundon së zbatuari këtë muaj.

INFRASTRUKTURA, MJEDISI

Infrastruktura rrugore e pret këtë sezon turistik me ndërtime te reja e plotësime shumë të rëndësishme. Investime të konsiderueshme në mbikalimin e Shkozetit dhe në rotondën e Plepave i bënë këto nyje shume funksionale e të bukura. Rruga e re paralel me murin e Portit në qytet, e cila do vihet ne funksionim këto ditë, do zgjidhë përfundimisht çështjen e hyrje-daljeve në qytet. Në qytet janë investuar 895 milionë lekë, që, nga njëra anë e bëjnë qytetin më komod e me funksional për vetë banoret, nga ana tjetër po e kthejnë në qytet turistik me vlera të larta për turizmin. Ndërhyrja, rehabilitimi dhe rivitalizimi në shumë zona të qytetit ka dhënë një impakt pozitiv duke bërë që pamja e qytetit të ndryshoje rrënjësisht dhe konsideratat e vlerësimet nga vizitore vendas e të huaj janë nga më të lartat. Disa ndërhyrje të rëndësishme janë: rikonstruksioni i fasadave të pallateve, sheshi qendror i qytetit, rikonstruksion i rrugëve të brendshme në qytet e plazh, bulevardi kryesor, rikonstruksion shëtitores Taulantja, rruga paralel murit të portit, korsia e biçikletave, ndriçim-gjelbërim etj. Është ngjarje e rëndësishme për Durrësin forcimi, ndërtimi i rrugëve dhe gjelbërimi i Kodrave te Currilave. Ky investim i Ministrisë së Mjedisit shmangu përfundimisht rrëshqitjet e vazhdueshme të kodrës dhe nga ana tjetër i dhuroi qytetit një park të gjelbër e një shëtitore të re.

ADMINISTRIMI I TERRITORIT

Një çështje që na ka krijuar shpesh probleme është ajo e ndarjes se rërës në zona publike e në private. Për ketë gjë ka urdhra e udhëzime të posaçme por shpesh jemi ndeshur me shkelje duke kufizuar sipërfaqet në favor të publikut. Për këtë vit procesi i ndarjes ka filluar kryesisht në plazhin e Durrësit, por me kaq e ajo konsiderohet e papërfunduar. Me anën e task-forcës do të organizohet një kontroll në të gjithë territorin për të verifikuar përfundimin e kësaj procedure si dhe zbatimin e ligjit në të gjitha zonat.

VËNIA NË FUNKSION TË TURIZMIT E TRASHËGIMISË KULTURORE

Muzeu Arkeologjik Durrës, pas përfundimit me sukses te rikonstruksionit, këtë vit ka hyrë në funksion të plotë dhe ka kapacitetet e duhura për të pritur një numër të madh turistësh. DRKK-ja ka marrë një sërë masash me qëllim që të rritet ndikimi i trashëgimisë kulturore në turizëm. Po bëhet fushatë për pastrimin nga mbeturinat dhe bimësia në monumentet e kulturës. Është ndryshuar orari i vizitave në Amfiteatrin Romak dhe Muzeun Arkeologjik Durrës, përkatësisht, Amfiteatri falë ndriçimit të tij mund të vizitohet çdo ditë 09:00-20:00, Muzeu Arkeologjik Durrës, e martë-e diel 09:00-13:00 dhe 17:00-20:00. Aktualisht po punohet për një projekt, i cili konsiston në krijimin e një ekspozite të veçantë që dhe njerëzit me aftësi të kufizuar (të verbër) të kenë mundësinë për ndier dhe kuptuar mbi objektet arkeologjike të cilat ndodhen në Muzeun Arkeologjik Durrës. Projekti “Miku i Monumentit” është një projekt, ku janë të përfshira disa shkolla nga qyteti i Durrësit, të cilat kanë “birësuar” secila nga një monument. Janë të shpeshta aktivitetet që shkollat në bashkëpunim me ne kryejnë në këto monumente.

NGJARJE DHE VEPRIMTARI KULTURORE

Është një drejtim me vlera për turizmin, të cilit i kushton shumë kujdes Bashkia e Durrësit. Programi i kulturës i hartuar për vitin 2015 synon t’i japë një dimension të ri dhe më të plotë jetës artistike dhe kulturore të qytetit të Durrësit si dhe një vlerë të shtuar për turizmin. Janë marrë masa për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme artistike e kulturore në mënyrë që sezoni të ketë sa më shumë gjallëri dhe pjesëmarrje të publikut vendas dhe turistëve të ndryshëm. Ndër më të spikaturat janë: Festa Detit 2015, Festa e Ullirit 2015, “Nata e bardhë” e Durrësit, Koncertet e Netëve të Verës, Mis e Mister “Turizmi 2015”, Miss e Mister “Durrësi 2015”, Albania Dance Meeting ,“Maratona e Këngës Popullore Qytetare”, International Summer Film Festival etj. Realizimi i programit do të shoqërohet me përmirësimin e infrastrukturës së institucioneve kulturore në qytet. Për vitin 2015 ky program do të financohet në shumën prej 60 888 000 lekë, përbën 4 për qind të totalit të shpenzimeve të Bashkisë së Durrësit.

SHËRBIMI SHËNDETËSOR

DRSH-ja dhe strukturat në varësi të saj kanë krijuar një traditë dhe sistem pune funksional. Sipas programit të hartuar dhe që është vënë në zbatim për ketë sezon. Është kryer kontrolli i vijës bregdetare si dhe ujit të detit dhe gjendja paraqitet relativisht e mire. Edhe gjatë sezonit veror 2015 do të funksionojnë 6 qendra, do të shtohet dhe 1 qendër tjetër në plazhin e Currilave. Fondet nga Ministria e Shëndetësisë do të jenë më të mëdha ketë vit për staf, medikamente dhe personel për të garantuar mbulim sa më të mirë me shërbimin shëndetësor të popullatës dhe turistëve. Do të forcohet më tej bashkëveprimi dhe mbështetja nga emergjencat civile për automjete, ambulanca, mjekë dhe infermierë.

OPERATORËT PRIVATË

Prefekti Xhelilaj theksoi se në drejtimet e punës për sektorin e turizmit përfshihen edhe çështje te tjera si ajo e garantimit të standardeve në tregun e ushqimeve, disiplinën financiare, promovimin etj, gjë për të cilën po punohet me programe pune konkrete për të vepruar gjatë gjithë periudhës së sezonit turistik veror. Nga të pranishmit u diskutuan mbi detyrat konkrete që ata do të ndjekin gjatë sezonit turistik. Vlen të theksohet dhe diskutimet e operatoreve turistik që operojnë në zonën bregdetare, vlerësimin nga ana e tyre për punën e bërë deri tani si dhe parashtrimi i disa kërkesave specifike të cilat do të ndiqen në vazhdimësi në bashkëpunim me të gjithë strukturat për të krijuar dhe ofruar standard dhe cilësi në këtë sezon turistik veror.

 

/red. ekon. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/