DURRËS, 25 shkurt 2014 – Atasheu i ri ushtarak i Republikës së Francës me rezidencë në Romë, kolonel Daniel Venturi zhvilloi një vizitë prezantuese në Komandën e Forcës Detare, ku u prit nga komandanti i FD, gjeneral brigade Qemal Shkurti, njoftoi selia në Plepa të Durrësit.
Sipas të njëjtit burim zyrtar, gjeneral Shkurti i shprehu mirënjohjen për ndihmën e dhënë gjatë këtyre viteve nga qeveria dhe ushtria franceze për Marinën shqiptare.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e deritanishëm midis dy flotave, si dhe mundësinë e zhvillimit të tyre në të ardhmen.
Po ashtu, sikurse njoftojnë Forcat e Armatosura Shqiptare, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneralmajor Jeronim Bazo priti në një takim kortezie dhe prezantimi kolonelin Daniel Venturi.
Z. Venturi zëvendëson kolonelin Anri Suva (Henri Sowa), që në korrik 2014, ka ardhur në Plepa, në prag të përfundimit të misionit trevjeçar në të dy anët e Adriatikut.
Bashkë me konsullin e Mbrojtjes z. Venturi, ka ndodhur dhe rokada në selinë diplomatike në Tiranë, teksa Oficeri i Urdhrit Kombëtar të Meritës, Kalorës i Legjionit të Nderit z. Bernard Fitoussi, më 18 shtator 2014, i dorëzoi Presidentit të Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani letrat kredencialet të Presidenti francez, të cilat e akreditojnë si Ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Francës në Shqipëri.
Bie në sy se teksa portali i përfaqësisë së Marianne [figurë alegorike e Republikës Franceze që nga viti 1792] në Tiranë ka përditësuar ndërrimin e krerëve të saj, ende figuron si atashe ushtarak i Francës jorezident kolonel Henri Sowa, dhe jo kolonel Daniel Venturi (kliko në: http://www.ambafrance-al.org/Attache-de-defense)!
Por Ambasada franceze në Romë vë në dijeni: “Colonel Daniel Venturi – Attaché de défense non résident Albanie” (kliko: nw http://www.ambafrance-it.org/-Attache-de-defense-)
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





