Dega e shoqatës “Tomorri” në Durrës, në bashkëpunim me bibliotekën e qytetit, kanë zhvilluar një aktivitet për promovimin e romanit “Historia e Shqipërisë kalon edhe nga Butka”, me autor shkrimtarin dhe publicistin Ylli Polovina.

Në hapje të aktivitetit, kryetari i degës së shoqatës “Tomorri” Hajri Nuhu tha se fati i familjes Butka dhe i kolonjarëve është vetë fati i shqiptarëve dhe ne ndihemi krenarë që promovojmë vlera të tilla, ashtu siç është romani i fundit i Ylli Polovinës.

Më konkretisht për romanin ka folur në emër të bibliotekës së qytetit Teuta Dhima, e cila ka theksuar se pinjollët e familjes Butka kanë pasur ndikim të madh në jetën politike të vendit sipas bindjeve të tyre.

Botimi i këtij romani ëhstë vlerësuar nga shumë prej të pranishmëve në takim. Redaktori i librit, gazetari Zylyftar Hoxha tha se mes rreshtave të romanit lexohet dhe nënkuptohet edhe e sotmja, një paralele historike, të cilat i gjejmë sot në cdo familje shqiptare ku për fat të keq ka futur hundët politika.

Kanë përshëndetur në emër të familjes vajza e Fetah Butkes, i cili është edhe personazhi kryesor i romanit. Vetë autori duke shprehur falenderimet për pjesëmarrësit dhe organizimin e aktivitetit, shprehet se bukuria e Shqipërisë është pikërisht pluralizmi, pluralizmi i ideve, që në kohën e luftës.

K.H.