·        8 klasa me 5 mësues që japin 6 orë mësim

·        Arsimtarja e anglishtes dhunon adoleshentët, lyhet në orën e mësimit, merret me telefonin dhe rri në fund të klasës

DURRËS, 8 tetor 2014 –  Një shkollë pa status; mungesë mësimdhënësish dhe ata që janë, s’kanë nivel; mësuesja e anglishtes u hakërrehet nxënësve, por këta të fundit kanë pasur guximin t’i denoncojnë me figurë dhe zë bëmat në hibridin 9-vjeçare-gjimnaz në ish-Kënetë.

Televizioni  A1 Report, afër shumicës qeverisëse, ka transmetuar një kronikë kuptimplote (kliko në http://www.youtube.com/watch?v=07XkkyhPCwI) për një rast tejet anormal, që po ndodh në “Shkollën e Re” të ish-Kënetës në Durrës.

STATUSI

Nxënës të viteve të para dhe të dyta kanë guxuar të flasin para kamerave për mungesën e kushteve të mësimdhënies, numrin e pakët të mësueseve si dhe për statusin e shkollës, e cila nuk ka marrë emërtimin akoma si shkollë e bashkuar duke qenë se aty zhvillojnë mësim nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe atij të mesëm.

Një nxënës tha se nuk njihet vula e shkollës, duke argumentuar se, pasi të bësh tre vjet gjimnaz këtu dhe mos të njihet është krim, është e jashtëligjshme.

Sipas kryetarit të bordit të prindërve, në këtë shkollë prej tre vitesh bëjnë mësim edhe nxënësit e shkollës së mesme, por ende nuk ka marrë emërtimin shkollë e bashkuar, ndërkohë që nxënësit nuk kanë një dokument zyrtar se në cilën shkollë ndjekin mësimet.

MUNGESAT E STAFIT PEDAGOGJIK

Skeç i famshëm i humoristit Fadil Hasa “Dy kamiona për tre bataliona” gjen zbatim dhe në rastin e ish-Kënetës.

Një adoleshent ngriti problemin e plotësimit të stafit pedagogjik, ku paraqitet një gjendje tejet skandaloze: “Jemi tre vite të dyta, tre vite të treta edhe dy vite të para, janë tetë klasa gjithsej i thonë gjashtë orë dhe janë pesë mësues”.

DAJAKU

Një vajzë e imët nuk përtoi të kritikojë nivelin e ulët shkencor të mësueseve të tyre, duke përmendur si të tillë mësuesen e anglishtes:

 “Mësuesja e anglishtes është jashtë çdo standardi për sa i përket mësimdhënies, ajo nuk bën asgjë tjetër përveçse rri në fund të klasës ose në fillim dhe vazhdon nxjerr telefonin, mund edhe të lyhet në klasë, pastaj ushtrimi i dhunës, kapjet janë shumë të forta. Për këtë kërkojmë largim patjetër të asaj mësueseje”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/