Të çosh një fëmijë në shkollë duhen së paku 200 mijë lekë për të blerë librat, bazën materiale dhe veshjen. Prindërit janë bërë me dhimbje koke në këtë fillim viti të ri arsimor. Ndërsa janë dyndur në shkolla për të marrë librat e fëmijëve prindërit kanë marrë vetëm tekstet shkollore.
Një familje, e cila dërgon fëmijën në klasë të gjashtë, ka blerë 28 mijë lekë vetëm tekstet shkollorë, ndërsa blerja e fletoreve të punës, librit të gjuhës së huaj, çantës së shkollës, lapsave e bazës së duhur materiale shkon deri në 100 mijë lekë të vjetra. Për të çuar fëmijën në shkollë duhet edhe veshja. Së paku duhen 200 mijë lekë, që një fëmijë të shkojë në shkollë.
Kaq është rroga e një sanitareje, e një punonjëse në ndërmarrjet fasone apo e çdo punëtori të thjeshtë. Por nëse kanë dy apo më shumë fëmijë, këto familje duhet të grumbullojnë pagën e tre muajve, duke mos konsumuar as ujë apo bukë thatë gjatë muajit.
Në të kundërt, familjet me të ardhura të pakta u blejnë librat fëmijëve dhe i veshin nga gabi me rroba e atlete të përdorura. Të shkollosh fëmijën kushton dhe vështirësi hasin jo vetëm ata që janë të papunë apo me paga minimale, por edhe ato familje me një nivel jetese mesatar.





