Pasi qëndruan më shumë se një orë para Bashkisë Durrës, ku kërkonin zgjidhje konkrete strehimi, protestuesit nga komuniteti rom dhe egjiptian, si dhe përfaqësuesit ligjorë të tyre, janë shoqëruar me furgon policie në komisariat.

Ndërsa të rriturit u shoqëruan në polici, fëmijët e mitur të tyre qëndruan për minuta të tëra të vetëm dhe nën reshje të vazhdueshme shiu.

Vetëm disa minuta më vonë, përfaqësues të bashkisë i strehuan para hyrjes së institucionit për t’i shoqëruar më pas në ambientet e Kovalishencës, ku parashikohet se do të kalojnë natën.

16 familje të komunitetit rom dhe egjiptian, që prej vitesh jetojnë buzë kanalit të ujërave të larta te Ura e Dajlanit, nga sot janë pa një strehë mbi kokë, sepse IKMT u prishi banesat për të mundësuar zgjerimin e kanalit.