Një pallat 5 katësh i dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit është shembur ditën e sotme me shpërthim të kontrolluar nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në Shkëmbin e Kavajës.
Operacioni është kryer pasi janë thyer me krahë rreth 40 metër kub mur tulle. Pas tërmetit të 26 nëntorit, kjo godinë në zonën e plazhit u kthye në të pabanueshme, ashtu si dhe shumë objekte të tjera banimi, hoteliere dhe shërbimi përgjatë bregdetit të Durrësit dhe në qytet e rrethina.
Aktualisht vijon puna dhe për shembjen e objekteve publike arsimore, të cilat u dëmtuan nga tërmeti, në zona të ndryshme të Durrësit. Sot është shembur shkolla 9-vjeçare “Hasan Koçi” në Durrës e dëmtuar në mënyrë të pariparueshme nga tërmeti i 26 nëntorit.
“Prishja e saj i hap rrugën ndërtimit të një shkolle të re me standarte të larta”,– thotë bashkia e Durrësit. Njê ditë më parë u shemb shkolla “Qemal Mici”. Lidhur me objektet e demtuara nga termeti dhe të planifikuara për shembje, drejtori i IMT Durrës, Ardian Halilaj tha se inspektoriati ndërhyn vetem pas akt ekspertizave te thelluara të Institutit të Ndërtimit.
“Ishte planifikuar shembja e kësaj godine shumë kohë më parë, por pandemia e shtyu në kohë dhe u shemb vetëm sot. Tek të gjitha objektet që do të prishen, ne veprojmë pas akt-ekspertimit të thelluar që na vjen nga Instituti i Ndërtimit. Në rastet kur godina ka dëmtime të shkallës DS5 ne vazhdojmë me prishjen e tyre.”– tha drejtori i IMT Durrës, Ardian Halilaj.





