8 rrape gati 50- vjeçarë janë prerë  për t`u zëvendësuar, me drurin dekorativ të “ashias”, ose siç njihet në latinisht “ileks agustifolia”.

Rrapet që gjendeshin në lagjen numër 11, në rrugën “Hafiz Podgorica” ose tek tregu i ish-valutës, prej kohësh ishin kthyer në një shqetësim serioz dhe burim aksidentesh për këmbësorët dhe automjetet.

Fadil Ago, kryetar i Degës së Shërbimeve në Ndërrmarrjen e Gjelbërimit deklaroi për “Durrëslajm” se cikli biologjik i këtyre rrapeve kishte ardhur në fund dhe bashkia vendosi që të përshtasë një bimësi tjetër në këtë zonë.

“Do të bëhet rikualifikimi i kësaj zone, pasi gjelbërimi ekzistues ishte i papërshtatshëm. Mbyllja e ciklit të këtyre bimëve, ndotja që shkaktohej nga mijëra zogj që qëndronin në këto pemë, si dhe thyerja e degëve nga fortunalet e ndryshme duke rrezikuar aksidente, bëri që të ndërmerrej ky hap. Gradualisht do të bëhet edhe rishikimi i pemëve të tjera në krahun tjetër të rrugës, që janë po aq problematike për t’u ndërhyrë”, -pohoi Ago.

Në vend të drurëve të rrapeve kjo zonë do të gjelbërohet nga 15 pemë të tjera të “ashias”.