Për të dytën herë brenda pak më shumë se dy javëve kërkohet shkarkimi i sekretarit të Këshillit Bashkiak Durrës, Armand Tragaj.
Për herë të parëm shkarkimi i tij u kërkua në mbledhjen urgjente të KB-së, të datës 23 shtator, kur këshilltarët u thirrën të miratonin një fond emergjence për dëmet e shkaktuara prej tërmetit të 21 shtatorit.
Gjatë mbledhjes u kërkua shkarkimi i sekretarit Tragaj dhe zëvendësimi i tij me një tjetër, po kjo kërkesë që nuk ishte në rend të ditës, nuk u miratua pasi këshilltarët e vlerësuan si të paarsyetuar. Kërkesa për shkarkim mori 16 vota pro, 22 kundër dhe 2 anëtarë nuk votuan.
Ndërkohë, në mbledhjen e KB-së, të thirrur për t'u mbajtur ditën e premte, shkarkimi i Tragajt dhe zëvendësimi i tij me Dorina Milaj është pika e parë e rendit të ditës.
Tentativa e parë për shkarkim nxiti reagimin e ashpër të Tragajt, i cili u përfshi në një konflikt fizik me kreun e PS-së Durrës Luan Zaza.
Mbetet të shihet mbledhjen e nesërme nëse këshilltarët socialistë do të votojnë shkarkimin e sekretarit aktual të KB Durrës. Juristi Tragaj u caktua në këtë post në vitin 2015 dhe vinte nga rradhët e LSI.