DURRËS, 4 nëntor 2013 – Uniformat blu bregdetare po “gjuajnë” motoçikleta. Aksidentet e shumta dhe shqetësimet që sjellin nëpër rrugët e qytetit, kanë detyruar policinë, të ndërmarrë gjatë fundjavës kontrolle dokumentacionit në fokus të veçantë motoçikletat. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrësit njofton se në bazë të kontrolleve të ushtruara në territor, krahas masave administrative, në disa raste kanë nisur procedime penale për drejtim mjeti pa leje drejtimi apo në gjendje të dehur. Kështu, të shtunën, më 2 nëntor 2013, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për tre persona: P. F., 53 vjeç, banues në Durrës, sepse rreth orës 12.00 u kap nga patrulla e policisë në lagjen nr. 3 të qytetit, duke udhëtuar me motoçikletë Yamaha 500 CC pa targa dhe pa leje drejtimi; G. H., 17 vjeç, banues në Durrës, sepse rreth orës 12.30 u kap në lagjen nr. 4 duke lëvizur me një motoçikletë Suzuki 400 cc me targa AH445, pa leje drejtimi; J. M., 20 vjeç, banues në Durrës, sepse rreth orës 13.30 u kap në lagjen nr. 2, duke lëvizur me një motoçikletë Malaguti 125 CC me targa AC 049, pa leje drejtimi. Kurse të dielën, më 3 nëntor 2013 filloi edhe një procedim penal: N. V., 29 vjeç, banues në fshatin Shinovlash, komuna e Rrashbullit, u ndalua në lagjen nr. 11 Durrës teksa po i jepte një motoçiklete Lifan pa targa dhe në gjendje të dehur.

 

/agjencia e lajmeve “Durrës”/