Sofokli Garo, mësuesi i matematikës e drejtues në disa shkolla të Durrësit për 43 vjet me radhë, është nderuar në këtë 7 mars me titullin “Nderi i qytetit”. Titulli iu dorëzua në një ceremoni në bashkinë e Durrësit, nga kryebashkiaku Vangjush Dako, ku e pranishme në sallë ishte e gjitha familja e profesorit.

Kjo ceremoni iu dedikua profesorit të nderuar të qytetit të Durrësit Sofokli Garo, i cili me përkushtimin, profesionalizimin, dhe dashurinë ndaj punës ka arritur të spikasë ndër breza të rinjsh tek të cilët ka lënë gjurmë të pashlyeshme në dijet e tyre, duke lartësuar në këtë mënyrë jo vetëm emrin dhe punën e tij, por modelin e qytetarit durrsak që dita-ditës bëhet më dinamik përkundrejt komunitetit dhe institucionit të dijes. Në fjalën e tij, Dako deklaroi se kontributi i Sofokli Garos ka spikatur jo vetëm në qytetin e Durrësit, por edhe jashtë kufijve gjeopolitikë të vendit tonë, prandaj sot ne jemi krenar që i nderuari Sofokli Garo ka arritur të lërë gjurmë si qytetar i devotshëm dhe profesor i spikatur e që lartëson emrin e Durrësit edhe në Amerikë.

 Sofokli Garo ka punuar si asistent profesor në Universitetin e North Dakotës dhe lektor i jashtëm në universitetin e Minesotës në SHBA, lektor në universitetin “Aelaksandër Moisiu” të Durrësit.

Po kështu, Garo ka qenë dekan i fakultetit ekonomik të universitetit të Durrësit dhe më pas zv/rektor i këtij universiteti. Garo ka 43 vjet karrierë në arsim, si mësues dhe drejtor i shkollave të mesme “Naim Frashëri” e “Olsi Lasko” në Durrës si dhe mësues në Lakota High School, SHBA, e më pas profesor në universitetet amerikane e atë të Durrësit ku ka mbajtur edhe detyrat e dekanit e të zv/rektorit. Ka qenë anëtar i shoqatës së matematikanëve amerikanë dhe i këshillit kombëtar amerikanë të mësuesve të matematikës. Për kontributin e tij në arsim është vlerësuar me medalje në Shqipëri dhe në Amerikë ku në Shqipëri ka marrë medaljen “Naim Frashëri” e Klasit të Parë, mësues i dalluar dhe mësues i vitit ndërkohë që në SHBA është vlerësuar me medalje nga universitetet e North Dakotës dhe Minesotës për kontributin e tij në mësimdhënie. Sofokli Garo është autor i shumë punimeve shkencore në SHBA dhe Shqipëri.

K.H.