Një nga kandidatët për rektor të universitetit të Durrësit, Elmaz Leci, emri i të cilit u bë mjaft i njohur një vit më parë dhe i komentuar pafund me ironi dhe humor në rrjetet sociale dhe mediet online, kur u zbulua se rektori aktual Mithat Mema e mbante “të burgosur” në zyrën e tij 8 orë rresht, çdo ditë, dhe nuk e lejonte të shkonte të bënte çiçin pa leje, godet sërish.

“DurrësLajm” ka siguruar nga burime të brendshme të universitetit “Aleksandër Moisiu”, e-mail-in që Leci u ka dërguar kolegëve të tij pedagogë për ta përkrahur në këtë garë akademike që ai po e kthen edhe në fushatë politike.

Prof. Dr. Leci, në vend që të fokusohet vetëm në arritjet e tij profesionale në arsim dhe kontributet që ka dhënë në këtë universitet, angazhohet në radhë të parë që të realizojë synimet e tij politike.

Leci u shkruan pedagogëve të Durrësit se synimi dhe qëllimi i tij kryesor është që të realizojë Programin e Rilindjes, pra të qeverisë Rama.

“Në kuadrin e synimeve progresiste dhe të propozimit të një grupi prej jush, unë vendosa të kandidoj për Rektor të Universitetit, me synimin dhe qëllimin për realizimin e Programit të Rilindjes, që mbështetet gjithnjë te vota juaj e puna jonë e përbashkët”, shkruhet në e-mail.

(e-mail-i që ka mbërritur në adresat e pedagogëve)

Profesor Leci me sa duket do t’ia shpërblejë qeverisë Rama, lirimin nga “burgu”, pasi u ndjehet borxhli. Ishte ministrja Lindita Nikolla, ajo e cila më 17 mars të 2015-s, gjatë një inspektimi në universitetin e Durrësit e liroi Lecin nga izolimi i paprecedentë që i bënte Rektori Mema.

Lecit nuk i lejohet të dilte nga zyra për asnjë motiv pa shkuar ora 16:00. Në atë kohë u bë zhurmë e madhe në media, ndërsa në rrjete sociale plasi gallata pa fund, ku pyetja kryesore që ngrihej ishte: “Po mirë, po nevojat personale ku i kryente dekani i fakultetit?!”.

Madje, edhe profesori e akademiku i nderuar Artan Fuga, ngriti një shqetësim serioz për rastin e Lecit, se ku e bënte ai çiçin, sipas të cilit ishte një lajm që kishte tronditur mbarë botën (lexo: Artan Fuga ironi me ngjarjen në Durrës: Një dekan shkon të bëjë shurrën).