Romët dhe egjiptianët janë dy komunitetet më vulnerabël jo vetëm në Durrës, por në të gjithë vendin, komunitete të cilat përballen me analfabetizimin, papunësinë, mungesën e kushteve minimale të jetesës etj, të cilat vijnë si rezultat i diskriminimit që këto komunitete kanë në raport me pjesën tjetër të popullatës në gjetjen e një vendi pune.

Përfshirja e komunitetit rom dhe egjiptian në projekte sociale ishte pjesë e një takimi të zhvilluar në ambientet e Këshillit të Qarkut. Qëllimi kryesor i zbatimit të këtij projekti, konsiston në dhënien e mundësisë për grupet vulnerabël që të bëhen pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në vendimmarrje.

Ky projekt për “Fuqizimin ekonomik dhe social të romëve dhe egjiptianëve” bëhet në prani të drejtuesve dhe përfaqësuesve të institucioneve në rang rajonal dhe lokal me përfaqësues të komunitetit rom dhe atij egjiptian. Në takim e morën fjalën edhe përfaqësues të komuniteteve, të cilët e vunë theksin te problematikat që hasin në jetën e përditshme. Ky plan zhvillimi përfshin periudhën 2017-2020 duke synuar realizimin e treguesve konkrete, që përfshihen në të.

K.H.